Shqipëria e Kosova bisedojnë për lidhjen hekurudhore
Prishtinë, 26 janar - Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto gjatë vizitës së tij në Prishtinë zhvilloi sot një takim bilateral pune me Ministrin e Infrastrukturës së Kosovës, Lutfi Zharku.
Dy ministrat vunë theksin mbi nevojën e intensifikimit të punës për çështjet konkrete të marrëveshjes midis dy institucioneve të firmosur një vit më parë në Prizren.
Haxhinasto e informoi homologun Kosovar për projektin e zgjerimit të rrugës dhe të pikave të kontrollit doganor në Doganën e Morinës, i cili do të lehtësojë shumë shërbimet për udhëtarët dhe bizneset në këtë pikë me aktivitet të dendur.
Ministrat u angazhuan më tëj për të gjetur mundësi financiare për studimin e fizibilitetit për lidhjen hekurudhore mes dy vendeve.
Çështjet e integrimit, veçanërisht përafrimi i legjislacionit dhe anëtarësimi i Kosovës në organizatat rajonale të transportit, ishin gjithashtu pjesë e axhendës së përbashkët.
Duke folur për projekte të përbashkëta, Ministri Haxhinasto u ndal tek Rruga e Kombit si aset i përbashkët, për të cilën ka nevojë të koordinohen përpjekjet për një aktivitet ekonomik më të dendur, lidhur kjo edhe me ofrimin e lehtësive në portet e vendit për biznesin kosovar.
Në përfundim të takimit, Ministri Haxhinasto prezantoi homologun me zhvillimet më të fundit në sektorin e transportit ajror dhe mundësitë e aktivizimit të Aeroportit të Kukësit.