Shqipëria do të jep me koncesion autostradën Durrës - Morinë
Tiranë, 6 shkurt - Plani i qeverisë se Shqipërisë për të dhënë me koncesion autostradën Durrës - Morinë, e cila njihet ndryshe edhe si Rruga e Kombit mund të krijojë një kompani që do të ketë të ardhura prej minimalisht 350 milionë eurosh gjatë 35 viteve të ardhshme, ndërsa koncesionmarrësi do të duhet të investojë vetëm rreth 80 milionë euro.
Këto janë rezultatet që mund të nxirren nga të dhënat e përgjithshme të publikuara nga Korporata Financiare Ndërkombëtare, e cila po konsulton qeverinë shqiptare se si ta privatizojë këtë rrugë.
Dokumenti që i është dërguar kompanive të interesuara për të marrë pjesë në garën për koncesionin, disponohet nga gazeta Shqip.
Koncesionmarrësi do të ndërtojë një tra doganor te tuneli i Thirrës dhe parashikohet ti marrë 5 euro çdo automjeti personal dhe 10 euro çdo kamioni në emër të mirëmbajtjes së rrugës.
Nga dokumenti sugjerohet që koncesionmarrësi nuk do të ketë për detyrë të mbulojë shpenzimet kapitale apo riparimet e mëdha.
Duke qenë se volumi aktual i trafikut në këtë rrugë është 4600 makina mesatarisht në ditë gjatë të gjithë vitit dhe me një tarifë mesatare prej 7 eurosh, koncesionmarrësi do të krijojë 10 milionë euro të ardhura në vit ose minimalisht 350 milionë euro për gjatë të gjithë kohës së koncesionit dhe në këmbim do të duhet të investojë rreth 80 milionë euro.
Fitimet e koncesionmarrësit do të jenë edhe më të larta sepse në 35 vitet e ardhshme, volumi i trafikut në këtë aks nuk mund të ndodhë ndryshe veçse të rritet. Por fakti është që koncesioni nuk merr parasysh amortizimin e rrugës.
Nuk ka një shifër të saktë, por vlerësimet e përgjithshme e japin normën e amortizimit të rrugëve nga 2 në 5 për qind në vit, kosto kjo që do tu mbetet taksapaguesve shqiptarë, pavarësisht pagesës që do të bëjnë sa herë që kalojnë në këtë rrugë.
Qeveria shqiptare e ndërtoi rrugën nga Miloti deri në Morinë gjatë pesë viteve të fundit, (punimet në disa segmente nuk kanë mbaruar ende), duke e financuar atë me kredi të marrë në tregun ndërkombëtar dhe atë vendës.
Nuk ka një faturë finale për rrugën, por ajo ka kushtuar rreth 1 miliard euro. Rruga ka kosto mirëmbajtjeje dhe kosto amortizimi, por kjo e dyta nuk është përfshirë në detyrimet e koncesionmarrësit.
Nuk është e qartë se pse duhet të jepet me koncesion një rrugë në këmbim të ndërtimit të rrjetave mbrojtëse dhe disa punimeve të vogla, ndërkohë që problemi i rrugës mbetet kostoja e lartë e amortizimit në raport me volumin e vogël të trafikut.
Autostradat me katër korsi kërkojnë një fluks mesatar ditor prej minimalisht 12 mijë makinash, ndërkohë që sipas vlerësimeve të zyrës së konsulencës së IFC në Serbi, në Rrugën e Kombit kalojnë aktualisht vetëm 4600 makina në ditë. Volumi i trafikut vetëm në pak ditë vere arrin në 10-15 mijë makina në ditë.
Dokumenti i koncesionit tregon se kompania sipërmarrëse do të duhet të punojë në stabilizimin e skarpateve të krijuara gjatë ndërtimit, të vendosë rrjeta mbrojtëse përgjatë autostradës dhe të vendosë ndriçim te disa nënkalime e mbikalime.
E vetmja vepër e rëndësishme e parashikuar është ndërtimi i një mbikalimi pranë Kukësit.
Ndërkohë, vetëm n.q.s e sheh të arsyeshme dhe volumi i trafikut e justifikon, koncesionmarrësi mund të ndërtojë një tunel tjetër në Kukës.
Objektivi i parë i projektit të koncesionit është që të sigurojë operim efektiv dhe mirëmbajtje të autostradës në përputhje me standardet europiane nga një koncesionar i kualifikuar dhe me përvojë."
"Subjekti koncesionar do të përcaktohet nga standardet e mirëpërcaktuara të performancës operacionale dhe do të ketë detyrën të mirëmbajë autostradën, të ndërtojë dhe operojë sheshin e traut të pagesave, të zgjasë masat mbrojtëse për të parandaluar mbylljen e rrugës si pasojë e rënies së materialeve, si dhe të zbatojë punime për stabilizimin e skarpateve në mënyrë që të përmirësojë sigurinë dhe gradualisht të ulë koston e operimit dhe mirëmbajtjes, thuhet në dokumentin e IFC.
Pjesëmarrësit në koncesion, sipas formës së tenderimit, nuk do të konkurrojnë se cili i kryen funksionet e kërkuara me çmim më të lirë, por kush është më i aftë të kryejë një punë të tillë. Kështu ishte edhe gara për vetë ndërtimin e autostradës, që u fitua nga konsorciumi Bechtel/Enka dhe që bëri që kostoja e rrugës të përfundonte nga 418 milionë euro që ishte vlerësimi i parë, në mbi 900 milionë euro në final.