23 Dhjetor 2024

Shqipëria dhe Hungaria në garë për hapësirën ajrore të Kosovës

Prishtinë, 29 janar - Prej kohësh qeveria shqiptare, e nxitur nga amerikanët, po shikon mundësinë e marrjes nën kontroll të hapësirës ajrore të Kosovës, e cila deri më tani menaxhohet nga NATO, por së fundmi ka deklaruar se do ta lëshojë.

Përveç Shqipërisë, siç raporton të dielën e përditshmja “Shqip”, në “garë” është edhe Hungaria, e cila ka marrë mbështetjen paraprake të vendeve anëtare të NATO-s.

Sakaq, Shqipëria dhe Kosova kanë rënë dakord që të punojnë së bashku për të gjetur një zgjidhje optimale për problemin e administrimit të hapësirës së sipërme ajrore të Kosovës.

Kjo u vendos në takimet që zhvilloi ministri i Transportit, Sokol Olldashi, me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ministrin e Infrastrukturës të Kosovës, Fehmi Mujota.

Hapësira e sipërme ajrore e Kosovës, në nivelin mbi 8500 metra, administrohet deri më tani nga NATO, ndërkohë që Aleanca ka vendosur që së shpejti kjo hapësirë të administrohet nga Autoritetet e Aviacionit Civil.

Shqipëria është ofruar e gatshme të bëjë administrimin për llogari të Kosovës derisa Prishtina të krijojë kapacitetet e veta teknologjike dhe njerëzore.

Por, në garë të fortë ka hyrë edhe Hungaria, e cila politikisht dhe ekonomikisht i plotëson kushtet, ndërsa vendi ynë has pengesën e Spanjës.
 
Megjithatë, Olldashi dhe Mujota ranë dakord paraprakisht të ngrihet grupi i përbashkët teknik i ekspertëve që do të ndjekë në vijimësi të gjithë problematikën e koordinimit dhe zgjidhjes së çështjeve që kanë të bëjnë me zhvillimet respektive infrastrukturore dhe në fushën e transporteve.

Në takimin e zhvilluar në nëntor në Tiranë, drejtori i aviacionit civil të Kosovës, Dritan Gjonbalaj, pati deklaruar se, "hapësira e lartë ajrore e Kosovës është e mbyllur për mbikalime që nga viti 1999. Jemi në rrugë të mirë për të gjetur një zgjidhje që është politikisht, teknikisht dhe praktikisht e pranueshme".
 
Një tjetër çështje që gjeti angazhimin e dyanshëm të titullarëve të transportit ishte ekzaminimi i mundësive të rivendosjes së fluturimeve direkte Tiranë – Prishtinë.

Ministrat ranë dakord të shikojnë mundësinë e aplikimit të tarifave lehtësuese për operatorët e mundshëm ajrorë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)