Shqipëra me 3.5 milion abonentë celularë
Tiranë, 18 nëntor - Ndërsa numri i përdoruesve të kartave celulare në fund të qershorit ra në 4.9 milionë, operatorët fitojnë mesatarisht 5.863 lekë në vit për çdo abonent.
Të dhënat vijnë përmes raportit për 6 muajt e parë të vitit nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, sipas të cilit, krahasuar me vitin 2010, e ardhura mesatare për përdorues e operatorëve celularë shqiptarë ka rënë me 32%.
\"Në fund të qershorit të 2014 numri i pajtimtarëve të telefonisë celulare të matur sipas kartave SIM aktive shkoi rreth 4.9 milionë nga 5.3 milionë që ishte në fund të 2013 dhe numri i pajtimtarëve të matur sipas përdoruesve celularë aktivë (pajtimtarë që kanë përdorur shërbime celulare në 3 muajt e fundit) u reduktua nga 3.7 milionë në 3.5 milionë. Penetrimi i telefonisë fikse dhe celulare ka qenë përkatësisht rreth 9.2% dhe 123%\", thekson raporti i AKEP.
Vitin e kaluar,çmimi mesatar për çdo minutë thirrje të kryer nga përdoruesit e telefonisë celulare ishte 3.13 lekë.
Edhe ky tregues ka pësuar rënie drastike krahasuar me vitin 2010, kur shqiptarëve një minutë thirrje në celular ju kushtonte mesatarisht dy herë më shumë, rreth 6.5 lekë.
Sipas të dhënave të AKEP, Shqipëria ka nivelin më të ulët në Europë, si në të ardhurën mesatare për përdorues, ashtu edhe e ardhura mesatare për minutë thirrje celulare. Ulja e tarifave ka bërë që shqiptarët të rrisin vazhdimisht përdorimin e celularit.
Për 6-mujorin e këtij viti, çdo përdorues aktiv i telefonisë celulare e ka folur mesatarisht 339 minuta në muaj, ndërsa në vitin 2011 përdorimi mesatar ishte 277 minuta në muaj.
Në 6 mujorin e parë të 2014 sektori i komunikimeve elektronike ka pasur rënie të numrit të pajtimtarëve të telefonisë celulare si në përdorues aktivë edhe në përdorues të kartave SIM aktive, përkatësisht rreth 5.8% dhe 7.2% në krahasim me fundvitin 2013.
E njëjta dukuri vërehet edhe tek pajtimtarët e telefonisë fikse, ku reduktimi është rreth 9.2%. Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare në fund të gjashtëmujorit të parë 2014 ka pësuar një rënie prej rreth 5.8% krahasuar me fundvitin 2013.
Për të njëjtën bazë krahasimi, numri i përdoruesve sipas kartave SIM celulare është reduktuar me 7.2%. Rritje në 6-mujorin e parë pati numri i pajtimtarëve që përdorin internet nga rrjete fikse dhe rrjetet 3G.
Numri i pajtimtarëve me akses broadband fiks dhe celular (3G me karta USB/modem) në fund të qershorit arriti në rreth 324 mijë, që përbën një rritje me 10.4% në krahasim me fundvitin 2013.
Të dy segmentet e aksesit broadband, fiks dhe 3G (me karta USB/modem), kanë pasur rritje me rreth 3.3% dhe 22 % krahasuar me 2013, respektivisht.