Shpëtimi i PTK-së bëhet duke e vënë nën mbikëqyrjen e Kuvendit e me menaxhment të ri
Prishtinë, 15 janar - Lëvizja VETËVENDOSJE! Të merkruën ka organizuar tryezën me temën \"Zhvillimi dhe mirëmenaxhimi i PTK-së\". Visar Ymeri, deputeti i VETËVENDOSJE!-s në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar se pushteti ka arritur ta zhvleftësojë PTK-në në mënyrë që ta legjitimojë privatizimin e saj.
Ai ka shpjeguar rëndësinë e ndërmarrjeve publike, rrezikun e privatizimin dhe dëmit që ia ka shkaktuar Qeveria Kurse drejtori ekzekutiv i Organizatës për Demokraci dhe Antikorrupsion \"Çohu\", Avni Zogiani ka folur për dobësimin e sektorëve të PTK-së në raport me interesat e konkurrentëve tjerë si Z-mobile dhe Ipko.
Sipas tij zgjidhja e këtij problemi është heqja e ndikimit politik, menaxhimi profesional si dhe marrja e vendimeve për PTK-në drejtpërdrejt nga Kuvendi i Kosovës. Kurse profesori Agron Dida, ka deklaruar se përkundër fitimit 350 milionë euro që vinë përmes dividendëve ekzistojnë edhe para të thata të cilat çdo herë eksportohen jashtë Kosovës duke u bërë kështu të pakontrollueshme nga shteti.
Ndërkaq drejtori ekzekutiv i KIPRED, Ilir Deda, ka theksuar se PTK-ja nuk duhet privatizuar në asnjë mënyrë. Sipas tij, asnjë shtet serioz nuk merr vendime të tilla kur bëhet fjalë për kompani të cilat janë fitimprurëse.
\"Me 350 milionë euro të vjedhura ka qenë e mundur të rivitalizohet Trepça, të investohet në arsim e shëndetësi\", u shpreh Deda. Kurse Milazim Ashliqi, kryetar i sindikatës së PTK-së ka vlerësuar se lajmi më i mirë në këtë situatë të keqe është mos shitja e PTK-së vitin që shkoi.
Sipas tij, është fatkeqësi që Qeveria nuk lejon zhvillimin e kësaj kompanie.Eksperti i telekomunikacionit Ismet Hamiti, ka theksuar se PTK-ja duhet vendosur nën mbikëqyrjen e Kuvendit të Kosovës si dhe të caktohet një menaxhment i \"krizës\" i cili do të ndalë avancimin më tutje të dëmit tashmë të shkaktuar dhe të fillojë riparimin e PTK-së.