Shpellat e Kosovës në pullë postare
Prishtinë, 15 nëntor - Filatelia e Postës së Kosovës ka lëshuar në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare me titull:Shpellat e Kosovës.
Me një relief të begatshëm malor, nën të cilin fshihen shumë perla të natyrës, Kosova pa dyshim është njëri ndër vendet më joshëse në rajon për tu eksploruar dhe vizituar nga turistët e shumtë.
Filatelia e Postës së Kosovës përmes pullave postare kësaj radhe prezanton pamjet e njërës nga perlat e Kosovës, shpellën e Grykës së Madhe në Pejë.
Gryka e Madhe në Pejë, gjendet mbi lumin nëntokësor, nën thembrën e një shkëmbi të befasishëm e gjigant me lartësi 350 m.
Ishte e njohur qysh herët nga vendasit, por eksplorimet të njëpasnjëshme nuk shterën asnjëherë, sepse vetë shpella me korridore të qarta dhe të larta, me kanjone të nëndheshme, me rrjedhën e lumit nëntokësor si dhe disa oxhaqe të errëta e të larta, lejon speleologët ti futen edhe më tutje zbulimeve mahnitëse deri në pikëtakimin me liqenin brenda shpellës, i cili e bën vërtetë një ndër shpellat më mahnitëse në vendin tonë.
Duke shpresuar se eksplorimet e kësaj shpelle do ti mrekullojnë të gjithë me bukuritë e saj edhe në të ardhmen, Filatelia e Postës së Kosovës kësaj radhe ofron dy pamje mahnitëse përmes pullave postare të emisionit Shpellat e Kosovës, të cilat që nga dita e sotme mund të gjinden në të gjitha zyrat postare të PTK-së
Ky emision i ri i pullave postare përbëhet prej dy pullave postare me nominale 0.70 dhe 1, si dhe Zarfit të Ditës së Parë.