Shoqata e kompanive të transportit, kundër linjave që bartnin emigrantë
Prishtinë, 20 shkurt - Shoqata e operatorëve të transportit rrugor dhe të udhëtarëve të organizuar ka kërkuar që tu merren lejet të gjitha kompanive që kanë transportuar kosovarët për në Suboticë, me qëllim migrimin.
Këshilli Drejtues i Shoqatës pas shumë diskutimeve erdhi në përfundim dhe nxori unanimisht këtë vendim si vijon: 1. Distancohet nga operatorët e Republikës së Kosovës të cilët duke shfrytëzuar varfërinë e qytetarëve të Kosovës për interesa të kontrabandistëve me qeneje njerëzore kanë kryer transport, thuhet në vendimin e kësaj shoqate.
Drejtues të kësaj shoqate kanë kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Punëve të Brendshme, Prokuroria e Shtetit ti hetojnë të gjitha këto kompani, por edhe ato të Serbisë dhe menjëherë të fillojnë procedurat e tërheqjes së lejeve hyrëse në Kosovë, si dhe të ngritët padi gjyqësore ndaj pronarëve të këtyre kompanive.
Në bazë të ligjeve në fuqi në Kosovë Operatorëve nga Serbia tu ndalohet qasja në territorin e Republikës së Kosovës meqë kanë shkelur ligjet e shtetit tonë si dhe ndaj kompanive kosovare tu tërhiqen automatikisht lejet për dalje nga Kosova dhe licencat ekzistuese për këtë veprimtari, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Jakup Berisha, kryetar i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve.