23 Dhjetor 2024

Shkelje dhe parregullsi në Ministrinë e Infrastrukturës

Prishtinë, 17 dhjetor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK), ka publikuar Raportin Analitik për prokurimin publik në Ministrinë e Infrastrukturës (MI).

Raporti përbëhet nga rezultatet e monitorimit dhe hulumtimit të proceseve tenderuese (së paku dhjetë tenderë), analizimit të dosjeve të tenderëve për periudhën mars 2011 – mars 2012 dhe intervistimit të bizneseve dhe institucioneve të ndryshme rreth zbatimit të Ligjit për Prokurimin Publik.

Sipas raportit të publikuar në konferencë për media, monitorimi i prokurimit publik në Ministrinë e Infrastrukturës ka rezultuar me parregullsi, dyshime për keqpërdorime dhe mungesë transparence.

Besnik Ramadanaj nga KDI ka thënë se nga analizimi i 11 tenderëve për periudhën mars 2011 - mars 2012 janë evidentuar një varg parregullsish, e që sipas tij janë kontraktimi i operatorëve ekonomikë me çmimin më të lartë, nxjerrja e raporteve të vlerësimit pas dhënies së kontratës, mungesa e mbikëqyrjes së zbatimit të punëve, etj.

Sipas tij, nga hulumtimi është evidentuar se për këtë ministri ka pasur më së shumti ankesa në OSHP dhe atë 32 për vitin 2011 dhe 22 për 2012, si dhe është vërejtur mungesë e dukshme e besimit të operatorëve ekonomikë ndaj këtij institucioni.

“Një rast konkret lidhet me tenderin “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe regjionale të Kosovës 2011-2012 – Ri-tenderim” për rajonin e Gjilanit. Me rekomandim të Komisionit vlerësues, është kontraktuar kompania me çmimin e dytë më të ulët, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës me 14,131.58 Euro.

Ndërkaq, për rajonet e Prishtinës A, Gjakovës dhe Mitrovicës B, kishte vetëm nga një ofertë të përgjegjshme, me të cilët Komisioni rekomandoi dhe u lidhën kontrata”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, në konferencë është përmendur se në tenderin për “Sinjalizimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve në rrugët magjistrale dhe rajonale të Kosovës për vitin 2011 – Ri-tenderim” për llotet 3, 6 dhe 8 janë nënshkruar kontrata me operatorë ekonomikë me oferta të papërgjegjshme dhe atë në vlerë totale prej 250,566 Euro.

Në llotet 4, 5 dhe 7 janë përzgjedhur ofertues të përgjegjshëm me çmim më të lartë. Për llotet 4 dhe 7 nuk ka pasur ankesë e as ri-vlerësim, dhe është kontraktuar me ofertuesit e përgjegjshëm me çmim më të lartë për 49,710 Euro.

Deri sa për llotin 5, pas ankesës në OSHP dhe pas rivlerësimit është kontraktuar operatori ekonomik me ofertën më të përgjegjshme me çmim më të ulët. Më këtë përmirësim buxheti i shtetit është ruajtur për 16,242 euro, deri sa për llotet 4 dhe 7 vlerësohet se buxheti është dëmtuar për 49710 euro.

Po ashtu, në të njëjtin tender, për Llotin 3, Kontrata është nënshkruar 3 ditë para realizimit apo publikimit të Raportit të Vlerësimit.

“Kjo bie në kundërshtim me dispozitën ligjore mbi afatin kohor, sepse me ligj kontratat mund të nënshkruhen vetëm pasi të kenë kaluar 10 ditë nga shpallja e Njoftimit për dhënien e kontratës në ueb faqe të KRPP-së”, ka thënë ai.

Një aspekt tjetër i ngritur nga KDI është edhe shqetësimi i operatorëve ekonomikë lidhur me vonesat në kryerjen e pagesave nga Autoritetet Kontraktuese, gjë që po i dëmton bizneset.
Sa i përket kapaciteteve menaxhuese, sipas KDI-së, problem thelbësor në Ministrinë e Infrastrukturës mbetet hapësira dhe mungesa e stafit.

“Të gjeturat e paraqitura në këtë komunikatë, si dhe të gjeturat e tjera në Raportin Analitik, mundësojnë avokimin që MI të garantojë menaxhim më racional të parasë publike, llogaridhënie, transparencë dhe të krijojë një ambient më konkurrues në prokurimin publik”, ka thënë Ramadanaj.

Nga ana tjetër, Shqipe Gjocaj nga KDI ka paraqitur disa nga rekomandimet konkrete që do të duhej marrë parasysh nga institucionet përgjegjëse, me qëllim të përmirësimit të efikasitetit të punës në këtë ministri.

“Të përgatitet një databazë e produkteve me çmime minimale dhe maksimale të tregut, dhe të iu referohen kësaj databazë kur kualifikohen ofertat e pranuara. Termi “punë shtesë” të përkufizohet me ligj në nenin 4 ose me një nen të veçantë, duke sqaruar çka konkretisht përfshijnë punët shtesë. Të bëhet planifikim më i mirë i buxhetit, që të mos lidhen kontrata për punë shtesë, që nënkupton pa proces tenderues dhe i perceptuar nga publiku dhe operatorët si proces i qëllimshëm me mundësi korruptimi”, ka thënë Gjocaj.

Ajo po ashtu ka thënë se Autoriteti Kontraktues t’ia kryejë pagesat operatorëve ekonomikë në
afatin e përcaktuar ligjor,dhe të mos ketë hapësirë perceptimi që mbikëqyrësit e implementimit të kontratave të korruptohen gjatë këtij procesi të lëshimit të mjeteve si dhe të respektojnë dispozitën ligjore “minimumi i kërkesave kur përgatitë Dosjen e Tenderit”.

“KDI/TIK rekomandon po ashtu që të bëhet publikimi në ueb faqe të KRPP-së edhe i njoftimeve për kontratë për tenderët me vlera të vogla dhe minimale (nën 10,000 euro), i procesverbaleve të hapjes së tenderit, raporteve të vlerësimit të tenderëve, kontratave dhe vendimeve për gjoba apo ndëshkime. 

Kriteri “ekonomikisht më i favorshëm” të përdorët më shumë nga MI brenda kushteve që përcakton baza ligjore, ka thënë Gjocaj.

Raporti Analitik për prokurimin publik në MI është i dyti, pas publikimit të atij për Ministrinë e Shëndetësisë dhe realizohet në kuadër të projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia në Prokurimin Publik”, i mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)