Shkaktari kryesor i aksidenteve, manipulimi i pasigurt me automjet
Prishtinë, 19 qershor - Në konferencën e organizuar nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), me çrast u publikua analiza e politikave "Politikat e sigurisë në komunikacion", morrën pjesë përfaqësues nga institucionet relevante, si Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, pronarë të autoshkollave, shoqëria civile etj.
Kjo analizë vështron dhe analizon kornizën ligjore të sigurisë në komunikacion, rolin e institucioneve gjegjëse për sigurinë në komunikacion, infrastrukturën e komunikacionit rrugor, duke përfunduar me analizat statistikore lidhur me aksidentet dhe llojet dhe politikat e dënimeve, si dhe analizon ndërlidhjen e masave ndëshkuese me numrin e aksidenteve në rrugë përgjatë viteve.
Gjithashtu, vlerëson fushatat vetëdijësuese të ndërmarra deri më tash nga Policia e Kosovës dhe institucionet tjera.
Fillimisht u bë prezantimi i analizës, e cila përmbante të gjetura, që nga shumica e pjesëmarrësve u panë si reale, përveç nga zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, të cilët u shprehën se në analizë mungonte informacioni se në kuadër të kësaj Ministrie ekziston Këshilli për Siguri në Komunikacion dhe është duke u punuar strategja për sigurinë në komunikacion.
Ndërkaq, nga shumica u theksua se në Kosovë, institucionet kanë formuar me shumicë këshilla të ndryshëm, të cilët mund edhe të mos jenë aq funksional dhe mosefikasiteti i institucioneve nuk mund të arsyetohet me formimin e këshillave.
Lidhur me kornizën ligjore, u theksua se Kosova ka miratuar një sërë ligjesh, por përsëri ka paqartësi në praktikë, sidomos në ndarjen e kompetencave mes institucionesh relevante. E gjetur nga kjo analizë është edhe numri i aksidenteve fatale që në katër vitet e fundit ka rënë, ndërkaq numri total i aksidenteve po në këtë periudhë është rritur ndjeshëm.
Gjithashtu, u tha se shkaktari kryesor i aksidenteve është manipulimi i pasigurt me automjet (23.56% e aksidenteve janë si pasojë e kësaj kundërvajtje, 0.48% është shqiptimi i gjobave), ndërsa shkaktari i nëntë për nga rëndësia është tejkalimi i shpejtësisë së automjetit (3.75% e aksidenteve janë pasojë e kësaj kundërvajtje, 38.92% është shqiptimi i gjobave), edhe pse gjysma e gjobave që shqiptohen nga policia janë për tejkalim shpejtësie, ndërkaq numër i vogël i gjobave jipen për manipulim të pasigurt me automjet. Kjo do të thotë se gjobat nuk po kontribuojnë në përmirësimin e situatës momentale të aksidenteve.
Në përgjithësi diskutimet u përqëndruan në nevojën për vendosjen e sigurisë në komunikacion si prioritet institucional, të punohet në edukimin e fëmijëve dhe të rinjve për rregullat dhe sjelljet në komunikacion, nevojën për emisione informuese dhe debatuese në media, për ndërtimin e infrastrukturës që rritë sigurinë dhe qarkullimin, si mbikalime, nënkalime, dhe u kërkua nga institucionet që të përdorin statistikat e tyre dhe dokumentet tjera si kjo analizë për të bërë analiza të tjera dhe hartimin e politikave konform infrastrukturës rrugore, asaj ligjore dhe standardit në Kosovë.