Shërbimi online për dokumente edhe në Shtime
Prishtinë, 16 qershor - Përmes marrëveshjes së arritur sot mes Postës së Kosovës dhe Komunës së Shtimes të gjithë qytetarët e kësaj komune do të mund të aplikojnë online për dokumente personale të cilat pastaj do tu dërgohen në shtëpi përmes postierëve.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha janë shprehur të kënaqur që ky projekt shumë i dobishëm për qytetarët do të zbatohet edhe në këtë komunë.
Jam shumë i kënaqur që pas marrëveshjeve me Komunën e Gjilanit dhe të Prishtinës këtë shërbim jashtëzakonisht të rëndësishëm për qytetarët e kemi arritur edhe me Komunën e Shtimes. Në këtë mënyrë edhe Komuna edhe Posta e Kosovës po realizojnë objektivat për shërbime të standardeve evropiane për qytetarët, ka thënë kryeshefi Hoxha, pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Këtë marrëveshje e ka vlerësuar lartë edhe Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Postës, Halit Isufi.
Ndërkaq, kryetari Ismajli tha se përmes mundësisë së aplikimit online për dokumente personale, Komuna e Shtimes ndihmon edhe mërgimtarët e kësaj komune.
Megjithëse ne kemi arritur që të ofrojmë shërbimin më efikas të mundshëm për qytetarët tanë sa i përket certifikatave të gjendjes civile, mundësia që dokumentet të merren edhe pa ardhur fare në zyrat tona tregon përkushtimin tonë për shërbime sa më cilësore për qytetarët e Shtimes, ka thënë Ismajli.
Ismajli theksoi se deri më tash Komuna e Shtimes është e vetmja komunë në Kosovë që ka zbatuar tërësisht projektin e sistemit të adresave. Përveç emërtimit të rrugëve, çdo shtëpi në këtë komunë e ka adresën e vet, që paraqet një lehtësi të madhe edhe për postierët e Postës së Kosovës.
Ismali, i cili është edhe Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës u ka bërë thirrje të gjitha kryetarëve të komunave të Republikës së Kosovës që angazhohen maksimalisht në mënyrë që qytetarëve të tyre tu ofrojnë shërbimin online për dokumente personale.
Ndërsa, kryeshefi Hoxha ka theksuar se Posta e Kosovës është e gatshme tu përgjigjet në çdo kohë kërkesave të të gjitha komunave për zbatimin e këtij projekti.