Shërbimet e VALA-s dhe IPKO-s, të kënaqshme
Prishtinë, 4 maj - Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka publikuar raportin vjetor për kualitetin e shërbimeve të komunikimeve elektronike, në të cilin janë përfshirë VALA, IPKO dhe telefonia fikse si e PTK-së dhe e IPKO-s.
ARKEP nëpërmjet Sistemit të Kontrollit të Kualitetit të Telefonisë së Zërit ka bërë matjen e parametrave të telefonisë së zërit: Raporti i thirrjeve të dështuara; koha e vendosjes së thirrjes në sekonda me saktësi dhe kualiteti i transmetimit të zërit në pajtim me algoritmin.
Duke u bazuar në numrin e matjeve të realizuara nga ARKEP, mund të konstatohet se në përgjithësi operatori PTK - TiK ofron shërbime publike të telefonisë fikse me një kualitet kryesisht në përputhje me vlerat e deklaruara dhe raportuara, është thënë në raport. Sipas ARKEP-it, operatori IPKO-Fiks në kohën kur ka deklaruar matjet nuk kishte mundësinë ta deklaronte parametrin e kualitetit të zërit.
ARKEP-i ka udhëzuar operatorin në fjalë që në periudhën njëvjeçare - gjatë vitit 2014 - ta fillonte matjen e këtij parametri. IPKO-fikse ka raportuar parametrin për matje të kualitetit të zërit 3.87, ndërsa matjet e ARKEP kanë rezultuar se ky parametër është 4.18, pra kemi një kualitet me të lartë, është thënë në raport.
Në anën tjetër, sipas ARKPEP-it, ka një mospërputhje te parametri i kohës së vendosjes së thirrjes. Vlera e deklaruar e operatorit për parametrin Intervali kohor në sekonda brenda së cilës vendosen 95 % e thirrjeve më të shpejta kombëtare ka qenë 4.8, ndërsa vlera e raportuar pas matjeve nga ana e operatorit është 2.84.
Megjithatë, matjet e këtij parametri nga ana e ARKEP kanë rezultuar në vlerë 5.25, që dukshëm është më i madh se vlera e deklaruar dhe raportuar nga ana e operatorit IPKO.
Sa i përket raportit të thirrjeve të dështuara, matjet e ARKEP kanë treguar se ky numër është dukshëm më i vogël krahasuar me vlerat e raportuara, përkatësisht deklaruara. Duke u bazuar në numrin e matjeve të realizuara nga ARKEP, mund të konstatohet se në përgjithësi operatori IPKO-fiks ofron shërbime të telefonisë fikse me një kualitet kryesisht në përputhje me vlerat e deklaruara dhe raportuara, është thënë në raportin e ARKEPIT, sipas të cilit, operatori publik VALA, në bazë vlerave të paraqitura, vërehet se të gjithë parametrat e parë të deklaruara dhe raportuara kanë një mospërputhje të vogël krahasuar me vlerat e matura nga ARKEP.
Bazuar në matjet e realizuara nga ARKEP, mund të konkludohet se në përgjithësi operatori VALA ka treguar një kualitet relativisht të mirë të transmetimit të zërit në krahasim me vlerat e deklaruara dhe raportuara. Një kualitet më të dobët të parametrave të matur nga ARKEP, në krahasim me ato të deklaruara, përkatësisht raportuara.
Ndërkaq operatori IPKO duhet ti përmirësojë në veçanti parametrat e thirrjeve të dështuara dhe koha e vendosjes së thirrjes. Gjatë periudhës së deklarimit IPKO-ja nuk ka mundur ta deklaronte parametrin, gjë që tani ka arritur ta realizojë.
Bazuar në matjet e realizuara nga ARKEP, mund të konkludohet se në përgjithësi operatori IPKO ka treguar kualitet relativisht të mirë të transmetimit të zërit në krahasim me vlerat e deklaruara dhe raportuara, është bërë me dije në raport, në të cilin është shtuar:
Një kualitet më të dobët të parametrave të tjerë në krahasim me ato të deklaruara, përkatësisht raportuara në veçanti kur bëhet fjalë për raportin e thirrjeve të dështuara dhe koha e vendosjes së thirrjeve. Bazuar në matjet e realizuara nga ARKEP, mund të konkludohet se në përgjithësi Operatori VALA ofron kualitet të kënaqshëm të shërbimeve të SMS-ve brenda rrjetit (on-net).
Në përgjithësi bazuar në rezultatet e ARKEP përqindja e pasuksesshme e SMS të dërguar dhe vlera mesatare e kohës së dërgimit të SMS-ve ka treguar një mospërputhje të ndjeshme pozitive, pra vlerat e këtyre parametrave janë më të mira krahasuar me vlerat e raportuara, përkatësisht ato të deklaruara nga operatori VALA.
Kurse sa i përket operatorit IPKO-Mobil, vërehet një mospërputhje jo e ndjeshme sa i përket parametrit të përqindjes së pasuksesshme të SMS të dërguara dhe vlerës mesatare të kohës së dërgimit të SMS-ve. Bazuar në matjet e realizuara nga ARKEP, mund të konkludohet në përgjithësi, se operatori IPKO ofron kualitet relativisht të kënaqshëm të shërbimeve të SMS-ve brenda rrjetit (on-net).
Në përgjithësi vlerat e siguruara nga matjet e ARKEP-it dhe krahasimet e tyre me vlerat e deklaruara, përkatësisht të raportuara nga operatorët, atëherë mund të konkludohet se përdoruesit fundorë (konsumatorët) kryesisht shfrytëzojnë shërbime me një kualitet relativisht të kënaqshëm, është thënë në përfundimin e raportit të ARKEP-it.
Ky ishte viti i parë që ARKEP-i ka realizuar monitorimin e parametrave të kualitetit të shërbimeve të komunikimeve elektronike. ARKEP-i ka bërë me dije se në vitet në vijim raporti do të zgjerohet më tutje duke krahasuar edhe parametrat e kualitetit gjatë viteve, mbi bazën e të cilave pastaj do të nxirren konkluzionet adekuate dhe pasojnë veprimet konkrete të ARKEP-it me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore për përdoruesit fundorë.