Shënohet dita ndërkombëtare e Aviacionit në Kosovë

Konferenca është hapur nga Ministri i Infrastrukturës, z. Fehmi Mujota, i cili shprehu kënaqësi për arritjet e deritanishme të AAC-së dhe aviacionit në Kosovë. Ministri përmendi edhe sfidat, siç është anëtarësimi në ICAO. Z. Mujota zbuloi se vitin tjetër Kosova do të jetë nikoqire e takimit të Komitetit të Përbashkët për Hapësirën Evropiane të Aviacionit, me çrast shprehu pritjet se Kosova do të kalojë në Fazën II të kësaj marrëveshjeje.
Në panelin që trajtoi anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare të aviacionit, z. Dritan Gjonbalaj, Drejtori i përgjithshëm i AAC-së, tha se lidhja e aranzhimeve të punës mes Kosovës dhe Agjencisë Evropiane për Sigurinë e Aviacionit (EASA) dhe anëtarësimi në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) do të jetë me përfitim edhe për mbi 20 kompani ajrore evropiane të cilat fluturojnë në Kosovë.
Ai shtoi se AAC-ja do të donte të auditohej nga EASA. Z. Gjonbalaj tha se binjakëzimi institucional me AAC-në e Francës dhe bashkëpunimi me Kroacinë kanë sjell mjaft rezultate. Në një pyetje nga audienca rreth sigurisë së fluturimeve, z. Gjonbalaj tha se që nga viti 1999 në Kosovë nuk ka pas asnjë incident serioz.
Ilir Muçaj, Udhëheqës i divizionit përgjegjës për transport në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, tha se pas lidhjes së Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim, intensiteti i integrimit do të forcohet.
Ai tha se AAC-ja dhe institucionet tjera më përgjegjësi në aviacion kanë bërë punë të jashtëzakonshme.
Muçaj tha se Korniza për Investime për Ballkanin Perëndimor (WBIM) mund të përdoret për të financuar projekte të aviacionit. Institucionet me përgjegjësi në aviacion kanë arritur në mënyrë substanciale të hartojnë dhe zbatojnë legjislacionin evropian të aviacionit, tha ai.
Benjamin Nikoliqi nga Ministria e Punëve të brendshme sqaroi procesin e anëtarësimit të shteteve në ICAO dhe shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është duke punuar në këtë drejtim bashkë me partnerët ndëkombëtarë. Tel: +381 (0)38 248 629 │ Fax: +381 (0)38 211 009 │ [email protected] │ www.caa-ks.org Rruga Ahmet Krasniqi p.n, Lagjja Arbëria │ 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës
Z. Cavan Fabrice, Zyrtar komercial dhe ekonomik në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, tha se qeveria amerikane ka qenë përkrahëse por në periferinë e zhvillimit të aviacionit në Kosovë. Ai tha se mburret me rolin që qeveria amerikane ka pasur në procesin e partneritetit publiko-privat të aeroportit.
Fabrice tha se për shumë njerëz aeroporti është përshtypja e parë mbi Kosovën dhe popullin e saj.
Ai tha se aeroporti ka qenë një përdorim i mirë i modelit PPP. "Një nga përpjekjet më të mira të privatizimit, sipas mendimit tonë."
Ai pastaj shtoj se Ambasada Amerikane inkurajon partnerët të rrisin aeroportin përmes inkurajimit të kompanive ajrore që të vinë në Kosovë.
Fabrice tha se normalizimi i hapësirës ajrore ka rëndësi edhe për anëtarësimin në ICAO dhe Marrëveshjen Open Skies (Qielli i Hapur) për shërbime të transportit ajror me SHBA-në.
Fabrice përfundoi me porosinë se Ambasada e Shteteve të Bashkuara do të inkurajojë Uashingtonin që të mbështesë Kosovës në ICAO por edhe kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të përcaktojë se ku qëndron anëtarësimi në ICAO në agjendën e politikës së jashtme.
Pastaj audiencës iu drejtua z. Omer Pita, Drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kroacisë. Ai tha se agjencia e tij është shumë e ngjashme me atë të Kosovës dhe se ky organizim sjell rezultate dhe nuk u kushton shumë shteteve. Ai pastaj dha një histori të zhvillimit të agjencisë së tij të pesë viteve të fundit, prej një gjendjeje shumë të keqe, në lidere në Evropë.
Pita tha se për agjencinë e tij sistemi i kualitetit ka qenë baza e zhvillimit. Pita shpjegoi se si për 9 muaj përmes një plani ambicioz ata arritën t'i mbyllin gjetjet prej Agjencisë Evropiane për Sigurinë e Aviacionit (EASA) dhe Agjencisë Federale amerikane të Aviacionit (FAA).
Ai tha se për këto arritje kyçe kanë qenë pavarësia e operimit dhe ajo financiare dhe skema konkurruese e kompensimit. Ai pastaj lavdëroi investimin në profesionistët e kësaj fushe, siç është rasti në Kosovë. Z. Pita kujtoi se në rrafshin e jashtëm njëri nga memorandumet e para të nënshkruara ka qenë ai me AAC-në e Kosovës.
Në panelin për normalizimin e hapësirës ajrore të Kosovës, z. Bahri Nuredini, Kryeshef ekzekutiv i Kontrollit Ajror, tregoi për përgatitjet e organizatës së tij për ofrim të shërbimeve në hapësirën e normalizuar ajrore. Ai shpjegoi për zhvillimet në infrastrukturë, burime njerëzore dhe procedura. Në këtë panel diskutuan edhe përfaqësues të Federatës Aeronautike të Kosovës dhe AAC-së.
Walter Reimann, Zëvendëspresident për çështje ndërkombëtare dhe aeropolitike në Austrian Airlines filloi duke theksuar fokusin e kompanisë së tij nga lindja. Ai tha se Austrian ka qenë për 15 vjet në Kosovë duke ofruar rreth 150,000 ulëse në vit. Z. Reimann tha se udhëtarët prej Kosovës përmes Vjenës fluturojnë në Bruksel, Nju Jork, Londër etj.
Paneli i tretë dhe i fundit diskutoi për zhvillimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës Adem Jashari. Drejtori Menaxhues, z. Haldun Firat Kokturk, theksoi fokusin e operatorit Limak Kosovo International Airport në zhvillimin e resurseve njerëzore, veçanërisht në bashkëpunim me Aeroports de Lyon dhe Sabiha Gokcen në Stamboll.
Ai përmendi ngritjen e kategorisë së uljes në Cat III dhe zgjatjen e pistës në 3 km si disa prej investimeve që janë planifikuar. U diskutua edhe program nxitës i cili do tu ofrohet kompanive ajrore në 2015 për të mundësuar më shumë destinacione dhe rritje të numrit të fluturimeve. Aeroporti pret rritje prej 11% të numrit të fluturimeve gjatë verës së ardhshme. Duke iu referuar përkahjes financiare të qeverisë maqedonase, ai tha se LKIA mund të garojë me operatorët tjerë, por jo edhe me shtetet të tëra.
Luka Rojshek, përgjegjës për zhvillimin e rrjetës, prezantoi kompaninë e tij Adria Airways dhe historinë në Prishtinë.
Ai theksoi se Adria ka qenë kompania e parë ajrore që ka fluturuar në Prishtinë. Në 2010 ajo ka krijuar bazën e saj në Prishtinë me dy destinacione, që do të shtohen vitin e ardhshëm, dhe ka punësuar staf lokal të kabinës. Ai tha se Adria është e kënaqur me operimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Lorik Fejzullahu, drejtori i drejtorisë qendrore për partneritet publiko-privat foli për modelin e koncesionimit të aeroportit dhe theksoi sukseset e këtij procesi. Ai shtoi se operatori i aeroportit ka hequr dorë nga ngrita e tarifave për t'iu përshtatur me inflacion.
Me kaq u mbyll Konferenca e Aviacionit, e cila këtë vit u organizua në bashkëpunim me operatorin e ANP Adem Jashari Limak Kosovo International Airport.