Shefi ekzekutiv i “Air France” jep dorëheqjen, kompania rrezikon falimentimin
Paris, 9 maj - Grevat sporadike që prej muajit shkurt në radhët e punonjësve të “Air France”, kompania ajrore më e madhe në Francë, kanë shkaktuar një dorëheqje të nivelit të lartë.
Shefi ekzekutiv (CEO) i kompanisë “Air France” dha dorëheqjen pasi grevistët refuzuan ofertën për rritjen e pagave me 7% përgjatë 4 viteve të ardhshme.
Menjëherë pas dorëheqjes, aksionet e kompanisë ajrore franceze e nisën javën me një rënie prej 13%.
Për shkak të grevave, rreth ¼ e fluturimeve anembanë Francës janë anuluar në 2 muaj e gjysmë kohë.
Kostoja e grevave po rëndon çdo ditë e më shumë mbi ekonominë franceze.
Fatura ka shkuar në mbi 300 milionë dollarë vetëm për kompaninë “Air France”.
Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, deklaroi se kompania rrezikon të zhduket në rast se nuk ndërmerren hapat e nevojshme.
Nga ana tjetër, punonjësit e hekurudhës gjithashtu vazhdojnë grevën e tyre 2 ditë në javë.
Këtyre grevave u bashkohen hera-herës studentët dhe punonjësit e tjerë të administratës publike.
Tri sindikatat e mëdha të Francës vendosën po ashtu të tubohen së bashku në rrugë, më datë 22 maj, për herë të parë në një protestë kundër reformave të Presidentit Macron.
Reformat e njoftuara nga Macroni parashikojnë uljen e taksave për të pasurit, privatizimin e aeroporteve, heqjen e monopolit në hekurudha, ndërprerjen e pensionimit të parakohshëm dhe lehtësimin e procedurave të largimit nga puna.