SHBA, Gjermania dhe Britania përkrahin privatizimin e PTK-së
Prishtinë, 16 prill - Ambasadat e Republikës Federale të Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e kanë mirëpritur vendimin për shitjen e Postë Telekomit të Kosovës (PTK).
Me miratimin nga qeveria të ofertës së Axos Consortium për Postën dhe Telekomin e Kosovës (PTK-në) Kosova ka bërë sot një hap të rëndësishëm drejt forcimit të zhvillimit të saj ekonomik. Privatizimi i PTK-së paraqet një mundësi të rëndësishme për rivitalizimin e sektorit të teknologjisë informative dhe telekomunikimit dhe është thelbësor për rritjen ekonomike të Kosovës, thuhet në deklaratën e përbashkët të tyre.
Ambasadat e Republikës Federale të Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, dhe Shteteve të Bashkuara presin që qeveria të bëjë përparim të vazhdueshëm për të siguruar se të gjitha përpjekjet e ardhshme të Kosovës në privatizim janë transparente dhe në përputhshmëri me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira.