SHBA, Falimenton "American Airlines"
New York, 30 nëntor - Kompania që zotëron American Airlines dhe disa linja të tjera të mëdha aeronautike në SHBA shpalli ditën e martë falimentimin.
Nëpërmjet një zëdhënësi, AMR Corporation lajmëroi se linjat do të vazhdojnë të operojnë, duke përdorur një fond rezervë prej 4,1 miliardë dollarësh, derisa ligji për falimentim do të hyjë në fuqi.
American Airlines ishte e vetmja kompani amerikane që nuk kërkoi mbrojtjen e ligjit të falimentit pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Korporata me qendër në Teksas është e detyruar të shpenzojë 600 milionë dollarë më shumë se rivalët e saj në treg vetëm për pagat e punëtorëve, në bazë të ligjeve të punësimit.
Me deklarimin e falimentimit, fuqia e sindikatave shfuqizohet dukshëm, duke e lejuar AA që të shkurtojë stafin dhe kostot e saj të operimit.
Presidenti i American Airlines, Thomas Horton, u shpreh i sigurt se kompania jonë do të dalë më e fuqishme dhe e shëndetshme kur ky proces të përfundojë. Jemi të vendosur që të mbajmë një prezencë të rëndësishme në tregjet botërore.
Së bashku me American Airlines, shpall falimentimin edhe American Eagle dhe disa linja të tjera më të vogla, pjesë e grupit AMR Coorporation.