Serish shtyhet për 3 prill afati i dorëzimit të ofertave për PTK-në
Prishtinë, 21 mars - Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së ka bërë të ditur se ka vendosur sot që kompanive të përfshira në procesin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK-së, të ju jap kohë shtesë për dorëzimin e ofertave të tyre deri me datë 3 Prill 2013.
Kjo shtyrje e afatit vije si rezultat i pengesave teknike me të cilat janë ballafaquar kompanitë e parakualifikuara në këtë proces, përkundër faktit që çdo gjë ka qenë e gatshme në mënyrë që ky proces të zhvillohet konform dokumenteve tenderuese.
Duke pasur parasysh rëndësinë e madhe dhe kompleksitetin e projektit të privatizimit të kësaj ndërmarrje të rëndësishme publike, KQP bazuar në këshillat e këshilltarëve të transaksionit, konsideron që shtyrja 2 javore e procesit është në të mirë të rritjes së konkurrencës dhe realizimit të suksesshëm të këtij projekti të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
KQP siguron të gjithë qytetarët e Kosovës, se procesi i privatizimit i kësaj ndërmarrje të rëndësishme publike është duke u zhvilluar në harmoni të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare për transaksione të tilla.