Serbia shqetësohet nga +355
Beograd, 9 shtator - E ashtuquajtura Zyrë e qeverisë serbe për Kosovën i ka dërguar një protestë Unioni ndërkombëtar për telekomunikacion ITU me rastin e rezolutës së Kuvendit të Kosovës për marrjen e prefiksit shqiptar +355.
"Rezoluta e nxjerrë nga autoritetet në Prishtinë, me të cilën kërkohet që prefiksi ndërkombëtar i Serbisë (381), që shfrytëzohet nga telefonia fikse dhe mobile në Kosovë, të zëvendësohet me prefiksin ndërkombëtar të Shqipërisë (355), paraqet shkeljen më të vrazhdët të marrëveshjeve dhe standardeve ndërkombëtare", thuhet në këtë protestë dërguar ITU-s.
Zyra e qeverisë serbe e karakterizon këtë rezolutë si edhe një potez i radhës i Prishtinës që tregon se pala shqiptare nuk dëshiron që çështjet kontestuese ndërmjet Beogradit e Prishtinës të zgjidhen me negociata.
Në këtë komunikatë thuhet se edhe qeveria serbe i është drejtuar organizatave relevante ndërkombëtare me qëllim që të parandalohet zbatimi i rezolutës për ndërrimin e kodit serb 381 me atë të Shqipërisë 355.
Natyrisht, ky reagim dhe ky vajtim është i kuptueshëm, kur dihet se Serbia ka përfituar miliona euro nga kodi i vet në Kosovë dhe, pos tjerash, ka mundur edhe të përgjojë telefonatat e bëra nga dhe në drejtim të Kosovës.