Serbia i gëzohet autostradës Nish-Prishtinë-Durrës
Prishtinë, 28 janar - Autostrada nga Nishi nëpër Prishtinë për në Durrës, ka qenë disa herë pjesë e bisedimeve midis kryeministrit të Shqipërisë dhe të Serbisë, pasi mendohet si një investim jo vetëm për Serbinë por edhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sipas vlerësimeve të para investimi do të jetë me vlerë rreth një miliard euro e një pjesë e mjeteve do të duhej siguruar nga fondet evropiane, transmeton Koha.net. RTS thotë se kjo arterie do të duhej të rigjallëronte dhe të përforconte ekonominë e Serbisë Jugore.
Autostrada nga Nishi deri në Prokuple e Kurshumli te Merdari është e gjatë 120 kilometra. Segmenti i ri përmes Durrësit e Vlorës do të lidhet me Adriatikun përmes Korridorit 10 nga lindja,veriu dhe jugu i Evropës por edhe me korridorin 4 që shpie nga Bullgaria e Rumania
Lajmet për ndërtimin e kësaj autostrade i ka gëzuar banorët e kësaj ane të cilët thonë se ajo do të hapë tregje të reja për ta.
Ne tashmë po bisedojmë me disa firma nga Shqipëria. Rruga do ta përshpejtojë transportin e mallrave deri atje, thotë pronari i frigoriferëve për ruajtjen e perimeve në Prokuple Sasha Bogdanoviq.
Në Kurshumli thonë se kjo rrugë do të sjellë investime të reja dhe atje mendojnë se ajo është shpresë për këtë rajon në kufi me Kosovën.
Nga Nishi deri në Durrës autostrada do të jetë e gjatë 384 kilometra. Pos autostradës, është planifikuar që Serbi e Shqipëria të lidhen edhe përmes hekurudhës nga Kraleva përmes Prishtinës deri në Tiranë.