Serbët kanë filluar të kërkojnë tabelat e Kosovës
Prishtinë, 25 dhjetor - Sipas të përditshmes serbe Blic, serbët e Kosovës masivisht kanë filluar të kërkojnë tabelat e makinave të Republikës së Kosovës, që deri tani kishin refuzuar ti përdornin.
E përditshmja Blic, thotë se nga burime në Policinë e Kosovës, vetëm në Prishtinë kanë aplikuar mbi 4680 serb për tu pajisur me tabelat e Kosovës, vetëm disa javë pas arritjes së marrëveshjes ndërshtetërore midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.
Serbët kanë theksuar se janë të detyruar që të pajisen me tabelat e Kosovës për t`iu shmangur tarifave të policave kufitare.
Kemi refuzuar të pranojmë këto tabela, mirëpo tani jemi në një situatë se duhet patjetër ti marrim ato. Ne edhe më tej mund të përdorim tabelat serbe të Mitrovicës, mirëpo atëherë do të duhej që të paguanin tek pala kosovare policën kufitare, që është me çmim të lartë. Andaj me targat e Kosovës më mirë do ti paguajmë Serbisë dhe kjo do të jetë më e përballueshme për ne, ka theksuar një serb për mediat në Beograd.
Nga dita e hënë pritet të hyjë në fuqi marrëveshja për lëvizjen e lirë, e cila parasheh pagesën e policës kufitare. Si fillim pagesat e policave do të bëhen në Konçul dhe Merdare, ndërsa në vendkalimet Bërnjak dhe Jarinjë, ato anulohen për një kohë të pacaktuar.
Por, sipas Marrëveshjes, serbët që hyjnë me targa të Kosovës në Serbi, ata pajisen me targa provuese të MPB-së së Serbisë me të cilat sigurimi do të kushtojë më lirë. Ashtu që për t`iu shmangur pagesës prej 50 euro për një javë me makinë, serbët me targa provuese paguajnë vetëm 24 euro.