Se shpejti pritet hapja e portit te Shëngjinit
Tiranë, 20 mars - Pas dy vjetësh bllokimi, qeveria e Shqipërisë po mendon ta vërë sërish në funksion portin e Shëngjinit, në veri të vendit, për qëllime të importit dhe magazinimit të karburanteve.
Investimi i kryer nga disa shoqëri të rëndësishme në fushën e karburanteve mesa duket nuk do të shkojë dëm.
Në korrik të 2007-s, Kryeministri Berisha vendosi të mbyllë të gjitha portet e shkarkimit të karburanteve, për qëllime sigurie të depozitave, duke lejuar vetëm dy zona: Porto-Romanon dhe Petroliferën.
Reagimi i shoqërive që kishin investuar në këto porte me ngritjen e depozitave ishte tepër i madh, sidomos nga ana e kompanive greke në Durrës, kurse pjesa e Shëngjinit ka qëndruar në heshtje, me shpresën e rihapjes pas planit për tia dhënë portin me koncesion qeverisë së Kosovës.
Hapja e portit në veri të vendit ka sjellë reagimin e parë nga ana e disa shoqërive që kanë investuar në Porto-Romano, duke e lidhur me shpenzimet që kanë kryer si detyrim ndaj qeverisë për ti zhvendosur depozitat.
Burime jozyrtare thonë se qeveria shqiptare po shikon lidhjen e marrëveshjes me një kompani të huaj, që mund të zhvillojë zonën e Shëngjinit, si park energjetik.