SBASHK-u përkrah kërkesat e punëtorëve të Postës së Kosovës
Prishtinë, 11 shtator - Punëtorët e ndërmarrjes publike Posta e Kosovës të cilët ndodhen në grevë që nga e hëna kanë marrë sot mbështetje nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK).
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj dhe anëtari i kryesisë Ymer Ymeri gjatë një vizite në Postën e Kosovës janë takuar me kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës, Etrit Hoti dhe anëtarin e kryesisë Faton Morina. Ata gjithashtu kanë vizituar punëtorët grevistë në Prishtinë.
Kryetari Hoti i ka njoftuar sindikalistët e SBASHK-ut me gjendjen në Postën e Kosovës, kërkesat e punëtorëve si dhe për hapat e mëtejmë sindikal që do të ndërmerren për realizimin e të gjitha kërkesave.
Udhëheqësit e SBASHKU-ut janë solidarizuar me grevën e punëtorëve të Postës e filluar dy ditë më parë dhe kanë shprehur përkrahje të plotë për kërkesat e punëtorëve të ndërmarrjes sonë duke i cilësuar ato të drejta dhe të ligjshme.
Kryetari Hoti ka falënderuar përzemërsisht kryetarin Jasharaj dhe të gjithë anëtarët e SBASHK-ut për mbështetjen e ofruar në ditët më të vështira nëpër të cilat po kalon Posta e Kosovës.