Rusia përdori veton në OKB për krijimin e tribunalit për MH17

New York, 30 korrik - Rusia ka përdorur veton e saj në OKB për të bllokuar një projekt-rezolutë për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për të hetuar fatkeqësinë ajrore të fluturimit MH17 në korrik të 2014-ës.
Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, Rusia ishte i vetmi vend që kundërshtoi këtë nismë të mërkurën, ndërsa 11 anëtarë të tjerë të përhershëm mbështetën projekt-rezolutën. Angola, Kina dhe Venezuela abstenuan.
Avioni i Malaysia Airlines me 298 persona në bord ishte duke udhëtuar nga Amsterdami në drejtim të Kuala Lumpur, kur u rrëzua më 17 korrik 2014.
Perëndimorët gjithmonë kanë drejtuar gishtin nga rebelët pro-rusë në Ukrainë, si shkaktarë të tragjedisë, por vetë rebelët kanë thënë se nuk janë përgjegjës për vdekjen e rreth 300 vetave.
Presidenti i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për muajin korrik, Gerard van Bohemen tha se propozimi erdhi si një akt i përbashkët i Malajzisë, Australisë, Holandës, Belgjikës dhe Ukrainës, për të ndjekur penalisht të gjithë të dyshuarit që kanë gjuajtur në avionin.
Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Genady Gatilov e ka quajtur propozimin të vonshëm në kohë dhe kundërproduktiv.