RTK nuk u pagun kontributet pensionale, derisa nuk ndalet me punësime të reja
Prishtinë, 13 tetor - Kryesia e Sindikatës së Pavarur të RTK-së (SPRTK), është mbledhur sot në një takim urgjent për të diskutuar mospagesën për më shumë se pesë muaj të kontributeve pensionale nga Menaxhmenti i RTK-së.
Për mospagesën, Sindikata u informua dje pasdite, gjatë një vizite në Trustin Pensional.
Në këtë takim, përfaqësuesit sindikal e kanë kuptuar se kontributet pensionale për të punësuarit e RTK-së janë kryer vetëm deri në muajin Prill.
Një veprim i tillë sipas SPRTK-se është skandaloz për faktin se këto para, të punësuarve u janë marrë nga pagat edhe pas muajit prill.
SPRTK kërkon nga Bordi dhe Menaxhmenti që urgjentisht t'ju tregojnë punëtorëve se çka ka ndodhë me paratë e tyre për Trustin Pensional?
Sindikata pyet se ku janë paratë të cilat i keni marrë për tash e pesë muaj nga pagat tona për Trust Pensional?
"Paratë e Trustit Pensional investohen kryesisht në tregje ndërkombëtare dhe gjenerojnë norma të larta te kthimit të interesit."
"Me mos dërgimin e tyre në Trust, të punësuarve iu është pamundësuar të përfitojë nga kjo normë e interesit."
"Sipas një kalkulimi të Sindikatës, borxhi që RTK ua ka rreth një mijë (1000) të punësuarve të saj për kontribute pensionale është rreth 400 mijë euro."
"Sikur kjo sasi e parave të dërgohej me kohë në Trust, bazuar në normën e kthimit të interesit të viteve të kaluara, përfitimi do të ishte me mijëra euro", ka deklaruar SPRTK.
Sindikata fton prokurorinë të hetojë se çka ka ndodhë me paratë e një mijë (1000) të punësuarve të RTK-së, të cilat në emër të Trustit u janë marrë për pesë muaj (5) nga pagat.