RTK me milione euro borxhe, shpall konkurs edhe për 22 vende pune
Prishtinë, 17 gusht - Sindikata e Pavarur e RTK-së ka reaguar ashpër ndaj konkursit të shpallur nga menaxhmenti i RTK-së për 22 vende të reja pune.
Fadil B.Hoxha Kryetar i SPRTK-së ka thënë se hyrja në obligime të reja financiare në kohën kur RTK përballet me problemet më banale si me mospagesë të faturave të ujit, mbeturinave, tatimit në pronë, mosregjistrimit të veturave etj. është treguesi më i mirë se deri ku mund të arrijë papërgjegjshmëria e këtij menaxhmenti të RTK-së.
\"Ky veprim tregon edhe njëherë mospërfilljen e menaxhmentit të RTK-së ndaj rekomandimeve të auditorit të jashtëm, rreth punësimeve në RTK dhe mënyrës së menaxhimit me buxhetin\", ka theksuar Hoxha.
Gjithashtu kritika të mëdha rreth punësimeve të pakontrolluara dhe pa mbulesë financiare kanë ardhur edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët nuk e votuan raportin vjetor të punës të RTK-së për vitin 2014.
SPRTK është e shqetësuar që nga kjo situatë e rëndë financiare do të pësojnë punëtorët e RTK-së dhe familjarët e tyre, shumica e të cilëve pagën në RTK e kanë të vetmin burim financiar.
Sindikata i drejtohet Bordit të RTK-së me kërkesën që të ndalojë procedimin e metutjeshëm të këtij konkursi dhe stopimin e çdo veprimi që do të krijonte detyrime të reja buxhetore, në të kundërtën sindikata do të ftojë punëtorët për ta kundërshtuar një veprim të tillë duke mos e përjashtuar opsionin e protestës.
Gjendja financiare me të cilën përballet RTK për shkak të keqmenaxhimit, përfshirë borxhin e jashtëm të saj në vlerë prej rreth 4.3 milionë eurove, tanimë të publikuar nga auditori i jashtëm, kërkon një plan të menjëhershëm kursimi me qëllim të rimkëmbjes së institucionit, e jo veprime që rëndojnë edhe më tepër këtë gjendje.
RTK ka resurse të mjaftueshme profesionale për të prodhuar programe cilësore. Sindikata kërkon që ky potencial i brendshëm të shfrytëzohet dhe të vihet në shërbim të profesionalizmit,e që çuditërisht kjo po pengohet nga menaxhmenti i RTK-së.