Rrugët e Gjilanit janë në terr
Gjilan, 31 gusht - Qendra në Gjilan e Lëvizjes Vetëvendosje! e ka problematizuar mungesën e ndriçimit publik në Gjilan. Shumë rrugë të qytetit, përfshirë edhe ato ku ka institucione punblike janë krejtësisht të pandriçuara. Këto u thanë nga asambleistja Arbresha Kryeziu – Hyseni dhe aktivisti Luan Aliu gjatë konferencës.
“Tenderi për Sanimin dhe Mirëmbajtjen e Ndricimit Publik në Qytet, është publikuar më 26 shkurt të këtij viti, ofertat për të cilin i kanë dorëzuar 8 operatorë ekonomik. Nga këto 8, janë përzgjedhur 4, të cilat kanë pasur cmimin më të ulët, ndërsa më 11 maj është shpallur fitues kompania Viva Print. Pas ankesave të njërit operator ekonomik, se kjo kompani nuk i përmbushë kriteret e tenderit, më 8 qershor është dhënë njoftimi për anulimin e tenderit.
Ndërkohë, gjatë kësaj kohe, është bërë një lojë, në të cilën me sa duket po dalin të jenë të përfshirë shumë persona. Kanë filluar të qarkullojnë fjalët që me anë të një marrëveshje të brendshme, fituesi i tenderit është kompania EL-BAU, cmimi i së cilës na del të jetë sa dyfishi e bile edhe më i lartë, se i Viva Printi dhe kompanisë tjetër TONI që ka parashtruar ankesën gjatë fazës së parë.
Të gjitha këto lojë e pazare janë në kurriz të qytetarëve të cilët nuk e gëzojnë ndriçimin public si një të drejtë elementare, përkundrazi përballen me pasoja nga në qeverisje mesjetare.
Më 28 qershor janë njoftuar dy kompanitë, që njëra nuk i ka përmbushur kriteret për shkak të mungesës së kapacitetit teknik, që mesa duket ka qenë vetëm arsyetim, sepse po të kishte ekzistu në të vërtetë, do të njoftohej qysh në fillim dhe nuk do të kualifikohej si kompani e përgjegjshme dhe tjetrën si të pasuksesshme, e që është Viva Printi.
Pra, tani na del që janë dy kompani të pakënaqura dhe që kanë parashtruar ankesë deri edhe në OSHP, e që janë Viva Print dhe Toni.
Ndërsa, së fundi, OSHP ka dhënë vendimin e saj dhe e ka kthyer tenderin në ri-vlerësim, që do të thotë ky tender do të kalojë dhe një herë nëpër të gjitha procedurat e vlerësimit”, ka thënë Kryeziu Hyseni.
Ndërkaq, derisa pritet të kalohen të gjithë këto procedura për t’u siguruar ndriçimi publik zyra e prokurimit është katandisur në një gjendje të keqe sa edhe vetë Kryetari i Komunës e pranon që është para mbylljes. Të gjitha këto veprime po i pësojnë qytetarët e Gjilanit padrejtësisht. Kjo nuk është qeverisja që i duhet qytetit.