Rruga që sjell shpresë në fshatin Kokaj
Shkruan Ismet Azizi
Në fshatin Kokaj gumzhon eskavatori. Ushtima e tij dëgjohet nga larg. Ai bënë hapjen dhe zgjerimin e rrugëve të cilat lidhin fshatin Kokaj me fshatrat tjera por edhe me lagjet e këtijj fshati. Është gëzim i pa përshkruar jo vetëm i banorëve të mbetur këtu por edhe nga ata që çdo ditë vijnë nga qyteti të gëzuar për të vëzhguar punën. Fshati Kokaj me dekada ka qenë një vendbanim i lënë pas dore.
Në të kaluarën, banorët e fshatit Kokaj me vetë kontribut kanë ndërtuar xhami e shkollë, kanë hapur rrugë, e kanë elektrifikuar fshatin... Por,viteve të fundit, nevoja dhe dëshira për një jetë më të mirë i ka detyruar ta braktisin fshatin. Në fshat kanë mbet pak familje të cilat nga dëshira për të jetuar në tokën e stërgjyshërve, por edhe nga pamundësia për të gjet jetë më të mirë gjetiu, kanë vendosur ta vazhdojnë jetën këtu.
Në vjeshtën e vitit të kaluar komuna e Gjilanit për herë të parë filloi rindërtimin e një rruge që lidh fshatin Llovcë, Kokaj dhe Ranatocin. Fshatarët menduan se do tiu përmirësohet qarkullimi dhe jeta por gjithçka mbeti në fazën fillestare. Rrugën ekzistuese që lidh fshatin Llovcë me lagjen e Kokajve të Epërm, rrugë e cila qon në fshatin matanë kufirit, në Ranatoc, komuna kishte filluar meremetimin, por në mungesë të mjeteve nuk arriti ta përfundoj shtruarjen me zhavorr siç ishte planifikuar.
Kjo rrugë që lidh Ranatocin me Llovcën është e gjatë rreth 3 km e gjysmë dhe shumë e rëndësishme. Edhe në të kaluarën kjo rrugë lidhte fshatin me vendbanimet tjera siç është Magjera, Ilinca dhe Buhiqi dhe pastaj për tu kyqur në rrugën rajonale Preshevë-Gjilani. Zyrtarët komunal patën premtuar se rruga do të shtrohet edhe me zhavorr në një shtresë të mjaftueshme që mos të kenë vështirësi të mëtutjeshme. Për fat të keq kjo mbeti vetëm premtim.
Këto ditë banorët të katundit Kokaj të Gjilanit, të cilët janë afër kufirit me Serbinë, janë shprehur të kënaqur sepse më në fund u janë ngjallur shpresat që të qëndrojnë në pronat e tyre. Madje, tashti ekziston edhe mundësia që të kthehen edhe ata që janë laruar më herët dhe të investojnë në meremetimin e shtëpive të tyre të dikurshme. Ata janë të kënaqur me përkrahjen që po ua jep personalisht kryetari i komunë z. Lutfi Haziri, me projektin e hapjes dhe shtruarjen e rrugëve me zhavorr. Rrugët do të hapen edhe në ato lagje ku më nuk ka hy eskavatori dhe që nuk kanë qenë të shtruara me zhavorr. Haziri,premtimin e dhënë banorëve se çdo shtëpi e banuar do ta ketë rrugën derë në oborr të shtruar me zhavorr, ka fillua ta realizoj.
Shkolla e fshatit është mbyllur në shtatorin e viti të kaluar, pas 47 viteve pune,për shkak të mungesës së nxënësve. Lutfi Haziri ka premtuar se do ta hap rrugën dhe do ta shtroj me zhavorr deri në oborr të shkollës. Këtë e beson edhe punëtori i shkollës Shabi Halili, i cili në asnjë moment nuk ndahet nga punëtorët e kompanisë Bejta Comerc, të cilët po i kryejnë punët .
Në Lagjen e Poshtme të fshatit, e cila ndodhet në lartësi më të ulët mbidetare dhe më afër rrugës së asfaltuar që nuk ka arrit deri në Sllubicë, ndjehet një gjallëri më e madhe. Përveç dy shtëpive të rindërtuara të Rrustemajve, ka filluar edhe ndërtimi një shtëpie të re te Maliqët. Madje, fshatarët premtojnë se ky nuk do të jetë ndërtimi i fundit. Pas meremetimit të rrugës ekzistuese që lidhë lagjen me dy lagjet tjera dhe me fshatin Sllubicë, numri i atyre që dëshirojnë të kthehen në fshatin e tyre nuk do të jetë i vogël dhe nuk do të mungojnë as investimet.
Hapja e rrugës dhe shtruarja me zhavorr do të jetë një mundësi e madhe për mirëmbajtjen e objektit të shkollës i cili është në masë të madhe duke u shkatërruar. Kjo është një brengë që i ka kapluar shumë intelektual të cilët dolën nga këto banka shkollore. Këta dhe i tërë fshati janë të brengosur se një ditë shkolla, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, do të rrënohet vetvetiu siq ndodhë me ndërtesat e braktisura.
Me iniciativën e autorit të këtij shkrimi, vitin e kaluar, udhëheqësit e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore ishin në këtë fshat dhe premtuan se një objekt i këtij fshati do të merret në mbikëqyrje të këtij Departamenti. Ekziston shpresa se objekti i shkollës, i cili më nuk është në funksion, të merret në mbikëqyrje si objekt i Trashëgimisë Kulturore.
Vlen të përmendet edhe kontributi i veprimtarittë shquar për aktivitete fetare e kombëtare i Jusuf ef. Mustafa, cili mori iniciativën dhe udhëhoqi renovimin e xhamisë e cila ishte në shkatërrim e sipër. Synimi i tij, sikur edhe i xhematlinjve të kësaj xhamie, ishte që kjo xhami përsëri të jetë aktive dhe të jetë në shërbim të besimtarëve të mbetur në këto troje. Synim të cilin edhe e realizoi. Xhamia sot është e hapur dhe aktive.
Fshati Kokaj shtrihet në juglindje të Gjilanit në një lartësi mbidetare nga 565 m deri 643m.
Fshati Kokaj përbëhet prej tri lagjeve: Mahalla e Poshtme, Mahalla e Epërme dhe në mes tyre shtrihet Mahalla Gurina, ku edhe ndodhet shkolla e fshatit.
Kokajt sipas regjistrimit të parë që është bërë në vitin 1948 ka pasur 250 banorë. Në vitin 1953 ka pasur 289 banorë kurse në vitin 1961, kishte 342banorë. Një dekadë më vonë, në vitin 1971, numri i banorëve u ngrit në 386 kurse sipas regjistrimi të fundit (1981) numri i banorëve kishte shënuar një rënie të lehtë në 376 banorë.
Nga viti 1981 e këndej ka pasur vazhdimisht zvogëlim të popullsisë si pasojë e emigrimit të banorëve në drejtim të qendrës komunale së Gjilanit. Rënie të numrit të popullsisë ka shkaktuar lufta e fundit kur nga ky fshat u shpërngulën shumica e popullsisë si pasoj e pasigurisë. Në vitin 1999 paramilitarët serb kanë vrarë dhe masakruar disa banorë. Sot në këtë fshat jetojnë vetëm pesë familje me rreth 30 banorë.
Si vendbanim është krijuar dy shekuj më parë kur banorët e parë erdhën nga Klaiqi,vendbanimi i Sanxhakut të Toplicës nga ishin ardhur të parët e tyre,të cilët ishin në fqinjësi me vendbanimet e dikurshme shqiptare si: Gërgurovci, Bajra, Poroshtica, Llapashtica etj. Përveç Kokajve, nga ky vendbanim e kanë prejardhjen edhe banorët e lagjes Klaiq të qytetit të Gjilanit dhe muhaxhirët e katundit Kokaj, gjegjësisht një lagje e fshatit Ranatoc. Vendbanimi Kokaj është shumë karakteristik edhe sa i përket emrit të tij. Pak kush në rajon dhe më gjerë e din se ky fshat zyrtarisht quhet Inatovc (pas çlirimit Inatoc), emër i imponuar, pa asnjë arsye vetëm të mos jetë në shqip. Mirëpo, banorët e Kokajve dhe rrethina kurrë nuk e kanë pranuar këtë emër, sepse është emër i pakuptimtë dhe i imponuar me pushtimin e këtyre trojeve nga ushtria serbe në vitin 1912.
Fshati Kokaj përbëhet prej tri lagjeve të ndara njëra nga tjetra, e ato janë:Mëhalla e Poshtme, Mëhalla e Epërme dhe në mes tyre shtrihet Gurina, ku edhe është shkolla e katundit e ndërtuar në vitin 1967 me vetë kontribut të plakut Nezir Haliti-Agja Nezë.
Përveç disa të rinjve që ishin shkolluar në mejtepet e Preshevës, më vonë në xhaminë e përbashkët të ndërtuar në vitin 1930 pran lumit Sllubica, të tjerët nuk patën fat të shkollohen deri pas Luftë së Dytë Botërore kur në katundin Llovcë u hap shkolla fillore. Deri në vitin 1967, kur u hap shkolla në Kokaj, nxënësit kishin vijuar shkollën fillore katër klasëshe në Llovcë, pastaj vazhdonin shkollimin në Pogragjë.
Me ndërtimin e rrugës ka shpresë të përmirësimit të jetës jo vetëm të këtij fshati por edhe të atyre përreth e sidomos themelimit të qarkullimit me fshatrat tjera shqiptare të komunës së Preshevës që për fat të keq kanë mbetur matanë kufirit.