Rruga Ferizaj-Gjilan emërtohet me emrin Joseph R. Beau Biden


Ferizaj, 17 gusht - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, morën pjesë në ceremoninë e emërtimit të rrugës Ferizaj-Gjilan me emrin Joseph R. Beau Biden, III, djalit të Zëvendës Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden.
Ceremonia që u organizua në Sojevë të Ferizajt, në afërsi të kampit Bondsteel, u mbajt pas takimeve që Zëvendës Presidentit Biden zhvilloi në orët e mëngjesit me Kryeministrin Isa Mustafa dhe Presidentin Hashim Thaçi.
Kryeministri Mustafa, para të pranishmëve të shumtë ku ishin edhe familja e Zëvendës Presidentit Joe Biden, dhe shumë personalitete vendore e ndërkombëtare, shprehu bindjen se emërtimi i kësaj rruge me emrin e Beau Biden, do ta forcojë edhe më shumë lidhjen ndërmjet popullit të Kosovës dhe të SHBA-ve.
Duke vlerësuar lartë kontributin e Beau Biden dhënë pas luftës në vënien e themeleve të sistemit juridik në Kosovë, Kryeministri Mustafa, tha se ai meriton të jetë engjëlli mbrojtës i kosovarëve për shkak të historisë së jetës së tij.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri kryesor strategjik i Kosovës. Prandaj, edhe pagëzimin e kësaj rruge me emrin Beau Biden, ju lutemi ta shihni si një përpjekje të kosovarëve për të respektuar angazhimin e qindra, mijëra e miliona amerikanëve për çlirimin e Kosovës dhe për shtetndërtimin e saj. Partneriteti mes dy vendeve tona është natyral. Ne ndajmë vlera të përbashkëta. Prandaj, tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova sheh aleatin e vet të përhershëm, të cilin, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, e ka emërtuar mrekullisht si Miqësi të përhershme të dy vendeve që kanë të vendosura lidhje speciale, tha kryeministri Mustafa.
Ndërkaq Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën e përbashkët me zëvendëspresidentin e SHBA-ve, Joe Biden, ka thënë se me ndihmën e partnerëve tanë është duke u punuar që Kosova të bëhet shembull i një shteti, ku respektohen të drejtat njerëzore dhe ku sundon rendi e ligji.
Ai ka thënë se është duke u punuar shumë që të rinjtë tanë të kenë më shumë mundësi për punë dhe mirëqenie.
Po punojmë që talenteve tanë tu japim mundësi ta dëshmojnë veten e tyre. Sa herë që ata e kanë pasur një mundësi të tillë, ata kanë shkëlqyer, është shprehur presidenti Thaçi.
Në konferencën e përbashkët me zëvendëspresidentin Biden, presidenti Thaçi ka thënë se është i vetëdijshëm për sfidat që kemi, mirëpo Kosovën do ta mbajmë në rrugën e sigurt të integrimit të saj euroatlantik.
Ndërsa, për demarkacionin me Malin e Zi dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, presidenti Thaçi ka thënë se pa kalimin e demarkacionit dhe pa formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas Kushtetutës dhe ligjeve tona, Kosova do të mbetet e vetmuar dhe e izoluar nga bota.