Rruga e Kombit do të jepet me koncesion
Tiranë, 28 janar - Ndërtimi i një rrjeti rrugor, mirëmbajtja me koncesion e Rrugës së Kombit dhe shkëmbimet Shqipëri-Kosovë ishin temat e bisedimeve që zhvilluan në Tiranë ministrat e Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto dhe Fehmi Mujota.
Shqipëria dhe Kosova synojnë që brenda vitit 2014 të kenë të ndërlidhur një rrjet rrugor me standarde në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët.
Angazhimin e shprehën ministrat e Infrastrukturës dhe Transportit të Shqipërisë dhe Kosovës, Edmond Haxhinasto dhe Fehmi Mujota. Ministrat u takuan në Tiranë. Mujota theksoi se qeveria në Kosovë ka qëllim përmirësimin e infrastrukturës. Ministri Mujota foli pas inspektimit të punime në autostradën Tiranë-Elbasan:
Kjo rrugë do të jetë në shërbim të të gjithë vendeve të rajonit. Projekte të tillë në hapësirat shqiptare do të përfundojnë këtë vit, por dhe do të nisin këtë vit. Një rrugë të rëndësisë së madhe që lidh dy korridore të rëndësishëm ndërkombëtarë, Korridorin 8 dhe Korridorin 10 do ti nisim sivjet në Kosovë, tha ai.
Ministri Haxhinasto tha se me Mujotën janë pajtuar që të krijohen komisione të përbashkët për të trajtuar çdo çështje si dhe koncesioni për Rrugën e Kombit:
Jemi në fazën e përgatitjes së modelit si do të jepet me koncesion kjo rrugë. Një investim i tillë i jashtëzakonshëm që ka bërë shteti shqiptar, qytetarët e këtij vendi, duhet të mirëmbahet si sytë e ballit, që i thonë, që mos të degradojë, por përkundrazi të kthehet investimi. Nga fundi i pranverës dhe fillimi i verës ta tenderojmë si koncension, theksoi ai.
Sakaq, ministri Mujota i dha rëndësi ndikimit që ka pasur Rruga e Kombit për shqiptarët dhe të dy vendet:
Shkëmbimi mes Kosovës dhe Shqipërinë në qarkullimin e mallrave dhe njerëzve, nga hapja e rrugë nga Vërmica deri në Gjurgjicë të Kosovës ka rritur shkëmbimin katërfish. Duhet të bëjmë edhe më shumë që këtë rrugë ta kemi të një standardi të përbashkët, të lartë të shërbimeve, tha ai. Në autostradën Elbasan-Tiranë janë duke u kryer disa punime të prapambetura.