Rrjetet e transportit dhe energjisë në Ballkan nuk janë të zhvilluara sa duhet
Prishtinë, 8 shkurt - Fondi Monetar Nderkombetar (FMN) vlerëson se vendet e Ballkanit Perëndimor si Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mal i Zi dhe Serbi kanë rrjete të transportit, energjisë dhe telekomunikacionit që nuk janë të zhvilluara sa duhet, në krahasim me mesataren e Bashkimit Evropian (BE).
Mbyllja e hendekut të infrastrukturës publike sipas FMN-së do ta ndihmojë rajonin në zënien e hapit me standardet e jetesës në Evropën Perëndimore.
Por nga do të sigurohen paratë? Rritja e financimit do të jetë e nevojshme si nga burimet vendore ashtu dhe ato të huaja. Planifikimi dhe realizimi më i mirë i projekteve të investimeve publike është gjithashtu i domosdoshëm, thekson një raport i kohëve të fundit.
Konvergjenca e të ardhurave drejt niveleve të BE-së është ngadalësuar ndjeshëm në Ballkanin Perëndimor që nga kriza globale financiare. Zhvillimi ekonomik i rajonit po ecën ngadalë. Që vendet e rajonit ta mbyllin hendekun në standardet e jetesës me BE-në, ato do të duhet të gjejnë një mënyrë për ta riaktivizuar rritjen ekonomike.
FMN-ja ka identifikuar mungesën e infrastrukturën themelore publike në rajon si pengesë të rëndësishme për rritjen më të lartë ekonomike.
Rrjetet më të mira të transportit, energjisë dhe telekomunikacionit do të ndihmonin vendet e Ballkanit Perëndimor që ta rrisin produktivitetin, të integrohen më thellë në rrjedhën e tregtisë globale dhe ta përmirësojnë atraktivitetin e rajonit për investime të huaja.
Analiza e FMN-së tregon se një shtytje e koordinuar rajonale në infrastrukturën publike, së bashku me një menaxhim më të mirë të projekteve aktuale, do të mund t’i rrisnin ndjeshëm të ardhurat për kokë banori. Rritja afatgjate e BPV-së reale për kokë banori mund të jetë madje edhe 3-4 pikë përqindjeje.
Por, zënia e hapit me nivelet e infrastrukturës së BE-së është e vështirë: investimet publike kërkojnë burime të mjaftueshme buxhetore dhe korniza të forta institucionale që rregullojnë përzgjedhjen, ekzekutimin dhe monitorimin e projekteve.
Këto dy kushte kryesisht mungojnë në Ballkanin Perëndimor. Shumica e vendeve në rajon tashmë kanë nivele të larta të borxhit publik dhe disa gjithashtu kanë deficite të larta buxhetore. Vështirësitë në shfrytëzimin e tregjeve ndërkombëtare kapitale kufizojnë likuiditetin. Menaxhimi i investimeve publike është gjithashtu i dobët.
Përkundër pengesave, fitimet potenciale të përmirësimit të infrastrukturës tregojnë qartë nevojën që vendet e Ballkanit Perëndimor të investojnë në modernizim të arterieve të tyre të transportit dhe infrastrukturës së energjisë dhe telekomit. FMN rekomandon veprimet vijuese:
• “Investimi në investime”: forcimi i kapaciteteve për të planifikuar, përzgjedhur dhe realizuar projekte të infrastrukturës do të siguronte që burimet në dispozicion përdoren më mirë, si dhe do të përmirësonte aftësinë e rajonit për të absorbuar financimin e donatorëve në dispozicion. Është po ashtu me rëndësi që projektet e infrastrukturës të mos jenë viktimë e politizimit. Vendet mund ta shmangin këtë duke përcaktuar orare të investimeve bazuar në qëllime konkrete, të matshme dhe metodologji transparente të vlerësimit.
• Shumë rrjete të infrastrukturës shtrihen përtej kufijve. Për këtë arsye, është thelbësore të sigurohet një koordinim më i mirë i projekteve të investimeve.
• Vendet e rajonit duhet të konsiderojnë arritjen e kursimeve në shpenzimet e tyre rrjedhëse për të gjetur burime për projektet e kushtueshme. Qeveritë mund të krijojnë hapësira shtesë për manovrim duke zgjeruar bazën e tyre tatimore (duke eliminuar lirimet dhe stimulimet tatimore) dhe duke fuqizuar përmbushjen tatimore, të cilat do të rezultonin në më shumë të ardhura të mbledhura.
• Financimi i jashtëm duhet të luajë rol më të madh në infrastrukturën publike në Ballkanin Perëndimor, duke siguruar kështu që burimet e brendshme financiare i shërbejnë nevojave të sektorit privat. Financimi zyrtar nga donatorët, si dhe financimi multilateral dhe bilateral në kushte koncesionare do të duhet të luajë rol dominues, veçanërisht në vendet me borxh të lartë publik.
• Së fundi, por jo me më pak rëndësi, vendet nuk duhet të rrezikojnë stabilitetet e tyre të përgjithshme makroekonomike me projekte tejambicioze ose të dobëta të infrastrukturës publike. Kompromiset ndërmjet rritjes ekonomike, inflacionit dhe deficiteve të jashtme të llogarive rrjedhëse duhet të jenë element kyç i çdo diskutimi politik mbi shkallëzimin e infrastrukturës publike në rajon.