23 Dhjetor 2024

Rritet biznesi i avionëve privatë me qera

New York, 29 tetor - Yjet e rokut, anëtarër e familjeve mbretërore apo miliarderët mund të përdorin tani një kartë të parapaguar prej 80 mijë dollarësh për të marrë me qera një avion privat për të shkuar kudo që i shtyn fantazia.

Megjithëse recesioni global ka bërë që shitjet e avionëve privatë të bien më shumë se 50 përqind në tre vjetët e fundit, një kompani britanike thotë se biznesi i saj i dhënies së avionëve me qera po shkon mirë.

 Në një aerodrom privat në lindje të Londrës, një makinë luksoze afrohet pranë një avioni edhe më luksoz.

Chris Leach, president i kompanisë Air Charter Service (ACS), do të hipë në këtë avion për një udhëtim të shkurtër biznesi në Paris. Udhëtarët e tjerë janë, Erik Lindbergh, nip i aviatorit të famshëm amerikan, Charles Lindbergh, njeriut të parë që kapërceu Atlantikun me avion.

Klientët normalisht paguajnë më shumë se 16 mijë dollarë në ditë për ta marrë këtë avion me qera. Por janë ata që vendosin kohën se kur do të nisen. Zoti Leach shpjegon se kur vjen puna për udhëtime me avion, paraja ble gjithçka. Ai kujton rastin e një princeshe arabe që mori me qira një avion privat për të shkuar në Paris, ku do të bënte blerje. Kur do të kthehej, ajo vuri re se i duhej një avion tjetër privat për gjërat që kishte blerë.

\"Morëm një telefonatë nga Parisi, tregon Leach. Princesha arabe kishte 57 sende që kishte blerë dhe që nuk i nxinte avioni privat. Atëhere ne ramë dakord t’i jepnim një avion mallrash që do të ndiqte avionin privat për ta çuar bagazhin e saj në Lindjen e Mesme.\"

Pas gjysmë ore avioni privat ku ndodhet zoti Leach ulet në aeroportin Le Bourget të Parisit.

Në një pritje brenda në terminal, Leach dhe Lindbergh flasin para medias franceze për biznesin që kanë nisur bashkë, Lindbergh Card. Fjala është për një kartë të parapaguar. Klientët duhet të paguajnë fillimisht 80,000 dollarë në dorë. Ata që kanë një kartë të tillë mund t’i shmangin shumë nga procedurat e rezervimit për udhëtarët e zakonshëm.

Nipi i Charles Lindbergh-ut thotë se aviatori legjentar do të ishte mahnitur po ta kishte jetuar këtë ditë:

\"Është e vështirë të thuash se ç’do të kishte menduar gjyshi për udhëtimet e sotme, por ai ishte shumë i interesuar për të ardhmen e fluturimeve në hapësirë. Ai do të ishte mrekulluar nga ajo që ndodh tani, sidomos me raketat nënorbitale që po prodhohen nga industria private e hapësirës. Ky mund të jetë hapi tjetër i madh.”

Kompania Air Charter Service thotë se shumë prej klientëve të saj i marrin me qira avionët privatë thjesht nga impulsi. Për shembull atyre u teket të shkojnë për ta bërë pazarin në Francë dhe të hanë darkë në Nju Jork.

Chris Leach thotë se shitjet e kompanisë së tij u rritën 15 përqind vitin e kaluar. 

\"Vërtet ka patur recesion por kjo është kompensuar nga shtimi i numrit të milionerëve, sidomos në Kinë dhe në Indi,” thotë zoti Leach. Numri i të pasurve në botë shtohet çdo vit, prandaj kjo lloj industrie vazhdon të rritet”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)