Rriten kërkesat për shërbimet e PTK-së nëpër enklava
Prishtinë, 22 tetor - Shërbimet dhe produktet e VALA-s si dhe aksioni i PTK-së për shpërndarjen e SIM kartelave për konsumatorët e nacionalitetit serbë, kanë pasur efektin e duhur për faktin se pas zbritjes së çmimit të thirrjeve drejt operatorëve mobil në Serbi për 50 për qind, VALA është mirëpritur nga konsumatorët e minoriteteve të ndryshme në Kosovë.
Mbi 14 mijë SIM kartela kartela janë shpërndarë deri më tash për minoritete nëpër vendbanime të ndryshme ku jetojnë konsumatorët e minoriteteve, përfshirë edhe ata të nacionalitetit serbë, ka thënë Menduh Abazi, drejtor i Departamentit për Komunkim në PTK gjatë një konference për media që u mbajt të premtën në Qendrën Mediale në Çagllavicë.
Sipas tij, aktualisht nëpër enklava funksionojnë tetë pika shitëse, ndërkohë që interesimi është çdo ditë në rritje për shërbimet e PTK-së dhe kjo shihet edhe në bazë të raporteve financiare që vijnë nga pikat shitëse nëpër këto vendbanime.
Prej fillimit të këtij viti e deri më sot, ka pasur në vazhdimësi kërkesa për instalime të reja nëpër vendbanimet serbe, përfshirë Graçnicën me 28 kërkesa, Gorazhdeci me 12, Vitomirica me 50 kërkesa, Kllokoti me 38 kërkesa, Brezovicë me 5 kërkesa, Reqani me 1 kërkesë, Mamusha me 36 kërkesa, Hoqë e Madhe me 40 kërkesa, etj, ka theksuar Menduh Abazi.
Nga ana e saj, Rada Trajkoviç, drejtoreshë e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë ka bërë të ditur se aksioni i ART-së për ndërprerjen e funksionimit të rrjetit të telefonisë së huaj në Kosovë, ka sjellë probleme të shumta në komunikimin e lirë.
Intervenimi i ART-së ka sjellë probleme të shumta dhe unë mendoj se duhet të gjindet një zgjidhje e shpejtë në këtë drejtim në mënyrë që komunikimi midis njerëzve të jetë i lirë dhe i papenguar, ka pohuar znj.Trajkoviç.
Ndërkaq, Visar Halimi, zyrtar nga ART-ja ka tërhequr vërejtjen se të gjithë operatorët ilegalë në Kosovë do të luftohen në vazhdimësi. Aksioni ynë nuk ka absolutisht asnjë konotacion politik, mirëpo synimi ynë në bazë të kompetencave dhe autorizimeve ligjore është shkyqja e të gjithë operatorëve të huaj që operojnë në mjedise të ndryshme të vendit, ka deklaruar Halimi.
PTK pas largimit të operatorëve ilegalë ka ofruar shërbime shumë cilësore me një çmim shumë të lirë për të gjithë konsumatorët pa dallim, duke përfshirë edhe ata të nacionalitetit serbë me të vetmin synim për tua mundësuar të gjithë qytetarëve të Kosovës komunikim më të mirë dhe sa më kualitativ.