Rrëzohet një avion privat në Kanada, vdes ish-ministri 6 të tjerë
Otava, 30 mars - Shtatë persona kanë mbetur të vdekur nga rrëzimi i një avioni të vogël në një ishull në brigjet lindore të Kuebekut, Kanada.
Ish-ministri i Transportit të Kanadasë, Jean Lapierre, dhe anëtarë të familjes së tij janë në mesin e viktimave.
Autoritetet kanadeze kanë bërë të ditur se avioni është rrëzuar kur po i afrohej aeroportit Iles-de-la-Madeleine.
Moti i keq me erëra të forta dhe dëborë duket se është shkaku kryesor i këtij aksidenti ajror me pasojë 7 të vdekur.
Televizioni lokal TVA raportoi se mes viktimave është edhe ish-ministri i Transporteve Jean Lapierre, i cili ka punuar edhe si analist politik për CTV dhe mediave të tjera kanadeze.