Rrethrrotullimi te udhëkryqi i Janjevës do të përfundojë brenda 45 ditësh
Lipjan, 1 korrik - Ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku i shoqëruar nga kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, inauguroi fillimin e punimeve për rrethrrotullimin në rrugën nacionale, N2 Prishtinë-Ferizaj, tek udhëkryqi i Janjevës.
Sot me kryetarin Ahmeti jemi në rrugën nacionale Prishtinë-Ferizaj, në të cilën do të ndërtojmë rrethrrotullimin në fshatin Banullë apo siç quhet udhëkryqi i Janjevës. Do të kemi një rrethrrotullim, i cili do të ndërtohet sipas planit dinamik për 45 ditë pune. Përveç kësaj, gati kanë përfunduar punimet e rrethrrotullimi për Magurë, apo te rruga e Burgut. Në këtë komunë është realizuar edhe asfaltimi i rrugës Sllovi-Smallushë-Gadime, ndërsa këtë vit do të vazhdohet me rehabilitimin e rrugës Lipjan-Blinajë, kurse janë duke vazhduar punimet në rrugën Lipjan-Magurë. Në anën tjetër, është paraparë edhe zgjerimi i kësaj rruge në katër korsi nga kjo pjesë deri në Lipjan\", tha Zharku.
Kryetari Ahmeti fillimisht e falenderoi ministrin Zharku për kontributin e tij në realizimin e këtij projekti.
Fillimin e këtyre punimeve e vlerësoj si njërin nga projektet më të qëlluara, për arsye se ky vend ka qenë njëra ndër pikat e zeza, në të cilin janë shkaktuar dhjetëra aksidente me fatalitet. Ndërtimi i një rrethrrotullimi të tillë është i një rëndësie të veçantë për qytetarët e komunës së Lipjanit e poashtu edhe për ata të Kosovës, sepse do të rritet niveli i sigurisë në këtë rrugë, tha kryetari Ahmeti.
Vlera e këtij projekti kap shumën rreth 400 mijë euro dhe do të financohet nga Ministria e Infrastrukturës.
Projekte të tjera, të cilat është duke i realizuar Ministria e Infrastrukturës janë: rekonstruimi i rrugës Lipjan Blinaj, në vlerë prej 200.000 eurosh, rekonstruimi i rrugës Sadik Shala- Lipjan, në vlerë prej 200.000 eurosh; ndërtimi i rrugës Vojnovc (Shtime) - Topliqan (Lipjan), në vlerë prej 100.000 eurosh; ndërtimi i rrugës nga fshati Lluga (Lipjan) deri të fshati Radevë (Graqanicë) në vlerë prej 100.000 eurosh; ndërtimi i rrugës Verbicë e Zhegovcit (Gjilan) - Sllovi (Lipjan) në vlerë prej 500.000 eurosh.