Rrëshqitja masive e dheut bllokon një pjesë të rrugës Pejë - Kuqishtë
Prishtinë, 10 dhjetor - Ministria e Infrastrukturës ka bërë të ditur se gjatë orëve të mbrëmjes të së shtunës në Rugovë të Pejës, si pasojë e reshjeve të dendura të ditëve të fundit, e në veçanti të ditës së sotme ka patur një rrëshqitje masive dheu që ka bllokuar një pjesë të aksit rrugor Pejë - Kuqishtë.
Ministria njofton të gjithë qytetarët se kompania për mirëmbajtje të rrugëve është duke punuar në sanimin e bllokadës, e cila nuk është edhe e vogël, andaj edhe fton qytetarët që të shmangin aksin rrugor nga Peja në drejtim të Kuqishtës.
Ministria e Infrastrukturës mbetet e përkushtuar që në afat sa më të shkurtër të hapet për qarkullim rruga Pejë – Kuqishtë, e cila momentalisht është e bllokuar si pasojë e rrëshqitjeve të vazhdueshme të dheut.
Ministria e Infrastrukturës u kërkon falje të gjithë qytetarëve për pengesat e hasura në rrugën për Veternik, ku edhe përkundër përpjekjeve të mëdha të ekipeve për mirëmbajtje të rrugëve, ku si pasojë e reshjeve të dendura të borës për vetëm 15 minuta është mbuluar tereni, andaj edhe nuk kemi mundur që t’u ofrojmë kushte më të volitshme për qarkullim. U kërkojmë të gjithë ngasësve në këtë segment të rrugës, por edhe në tërë teritorin e vendit që të kenë kujdes të shtuar gjatë ngasjes.
Të gjitha ekipet e ministrisë janë në teren duke punuar që rrugët të jenë të kalueshme për qytetarët, madje edhe vet ministri Lekaj është duke u interesuar në teren për punët që po bëhen në mirëmbajtjen e rrugëve.
Ministria e Infrastrukturës mbetet e përkushtuar me të gjitha ekipet e saj që janë në teren për të mundësuar qarkullim normal në tërë teritorin e vendit.â