Rregullohet rruga, dy ura dhe shtrati i lumit në Lushtë
Mitrovicë, 21 qershor - Kushtet e jetës në fshatin Lushtë janë duke u përmirësuar dukshëm pas realizimit të disa projekteve të infrastrukturës.
Atje janë në realizim e sipër projekti për rregullimin e rrugës, ndërtimin e dy urave si dhe devijimin e shtratit të lumit.
Drejtori për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Rasim Veseli, tha se vlera e këtyre projekteve kap shifrën prej 220 mijë eurosh.
Janë projekte kapitale për këtë fshat, meqë do të lehtësojnë shumë jetën e banorëve.
Veseli tha se rruga në gjatësi prej 2 kilometrash është rregulluar me zhavorr dhe planifikohet që vitin e ardhshëm në bazë të mundësive buxhetore të asfaltohet.
Përveç rregullimit të rrugës dhe lidhjes së re që do të bëhet, aty janë rregulluar edhe dy ura mbi lumin Lushtë që lidhin dy pjesët e fshatit.
Poashtu ai përmendi si një punë tepër të rëndësishme rregullimin e shtratit të lumit, më saktë devijimit të një pjesë prej 700 metrash.
Në atë pjesë ka pasur shumë probleme, meqë lumi ka vërshuar tokat e punës. Tash është devijuar dhe është rregulluar shtrati dhe nuk do të ketë probleme të tilla.
Në këtë fshat kanë qëndruar së bashku nënkryetari, Riza Haziri, drejtori Rasim Veseli dhe drejtori i Finacave, Rrustem Abiti, të cilët kanë parë ecurinë e punës.
Ata u takuan edhe me fshatarët, të cilët shprehën mirënjohjen e tyre për punën që po bëhet.