Rregullohet me zhavorr rruga në fshatin Zabërxh
Mitrovicë, 12 tetor - Komuna e Mitrovicës ka përmbushur premtimin e dhënë për fshatarët e Zabërxhës për zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë të pijes për shkollën e fshatit si dhe rregullimin e rrugës. Këto kanë qenë kërkesat e tyre kryesore gjatë takimeve të mëhershme me zyrtarët komunalë.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se banorët e Zabërxhës vazhdimisht kanë pasur probleme sa i përket rrugës, andaj edhe është intervenuar dhe tashmë rruga është në gjendje shumë më të mirë se qe ka qenë. Për rregullimin e kësaj rruge janë investuar rreth 20 mijë euro që janë ndarë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Poashtu ai tha se janë ndarë mjetet edhe për hidroforin që është kërkuar prej banorëve për furnizimin e shkollës së fshatit me ujë të pijes. Është bërë një punë e mirë për këta banorë që jetojnë në këtë fshat të thellë malor Shalës së Bajgorës, rreth 20 kilometra larg nga qyteti.
Në anën tjetër, banorët e Zabërxhës janë shprehur shumë të kënaqur pas rregullimit të rrugës me zhavorr. Xhafer Fejza, drejtor i shkollës fillore Riza Voca në këtë fshat, tha se rruga ka qenë shumë e shkatërruar dhe ka paraqitur probleme të mëdha për lëvizjen e banorëve.
Kjo rrugë e cila herë pas herë është rregulluar nga vetë banorët kohëve të fundit ishte dëmtuar shumë dhe na ka krijuar probleme të mëdha.
Ai falënderoi komunën që ju ka ndihmuar për këtë rrugë, duke shpresuar se më vonë do të gjenden mundësi edhe për asfaltimin e saj. Për shkak të largësisë dhe mungesës së infrastrukturës rrugore, nw fshat tani jetojnë 10 familje, përderisa para luftës kanë jetuar afër 30 familje.
Drejtori Fejza shprehet i kënaqur shumë edhe me fillimin e procedurave për sigurimin e një hidranti që do të siguroj ujë të pijes në shkollën e fshatit.
Ai tregoi se për shkak të defektit në hidrantin që furnizon me ujë shkollën, ata kanë mbetur pa ujë që shumë kohë. Me buxhetin që kemi si shkollë nuk kemi mundësi të rregullojmë këtë defekt dhe kjo po na shkakton probleme, thotë ai.
Ai thekson se përkundër numrit të vogël të nxënësve në këtë shkollë, objekti shkollor që është ndërtuar pas luftës nuk i plotëson nevojat, meqë është detyruar që edhe sallën e drejtorit të shndërroj në klasë.
Objekti është i mirë, por i vogël edhepse në shkollën tonë aktualisht mësojnë 16 nxënës, me të cilët punon një staf prej 9 vetash. Thotë se kuadri po përmirësohet vazhdimisht. Cek faktin se gjysma e stafit udhëton prej fshatrave të tjera me vetura të tyre, për shkak se në fshat nuk qarkullon ndonjë minibus.