Rikthehet në Kuvend Strategjia për shitjen e PTK-së
Prishtinë, 26 tetor Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka informuar zyrtarisht deputetët me vendimin për ta kthyer në rishqyrtim strategjinë për privatizimin e PTK-së. Ky vendim ishte marrë nga kryekuvendari pesë ditë më parë, ndërsa deputetët e kuvendit ishin njoftuar këtë të hënë.
Vendimin për rikthim të strategjisë, Krasniqi nuk e kishte bazuar në mungesë të kuorumit për votim të saj në seancën e kaluar, por me qëllim të arritjes së një konsensusi me grupet parlamentare për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje publike.
Sot kemi marrë propozimin e kryetarit të Kuvendit që strategjia për privatizimin e PTK-së të kthehet në rishqyrtim në kuvend, tha të hënën deputetja e AKR-së, Myzejene Selmani.
Strategjia për privatizimin e PTK-së ishte miratuar më 14 tetor me konteste procedurale të Kuvendit të Kosovës dhe një ditë më pas kishte vendosur të mos e nënshkruante vendimin për miratim për të mos ia lënë barrën e këtij procesi vetëm PDK-së. Kryetari Krasniqi ka reflektuar në këtë mënyrë pas kritikave të LDK-së, opozitës dhe një pjese të shoqërisë civile, lidhur me procedurat e ndjekura gjatë miratimit të Strategjisë për privatizimin e PTK-së të sjell nga Qeveria.