Reshitaj përgëzon komunën e Suharekës për rëndësinë që po i jep mjedisit
Suharekë, 19 prill - Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka qëndruar gjatë paradites në Suharekë ku ka ndjekur nga afër eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave.
Ministrja Reshitaj bashkë me kryetarin e komunës së Suharekës Bali Muharremaj, vizituan disa deponi ku eskavator e makineri tjetër përcjellëse dhe transportuese po largonin mbetjet inerte nga deponi ilegale të kësaj komune.
Ministrja Reshitaj përgëzoj komunën e Suharekës e në veçanti kryetarin Muharremaj për rëndësinë që po i jep mjedisit.
“Në këtë aspekt si ministre, me përkrahjen e GIZ-it kam krijuar komitetin drejtues në sektorin e menaxhimit të mbeturinave, i cili do të ndjekë politika progresive të menaxhimit të duhur të mbeturinave, reciklimit të tyre dhe mbeshtetjen e komunave në avancimin e menaxhimit të mbeturinave.
Po ashtu jemi në përgatitje të javes së mjedisit, 30 maj-5 qershor,brenda se cilës do të këtë edhe aksione pastrimi në komuna të ndryshme” deklaroi ministrja Reshitaj.
Ministrja Reshitaj u ka bërë thirrje edhe komunave tjera të vendit që të ndjekin shembullin e Suharekës për t’i eliminuar deponitë ilegale dhe për ta pastruar qytetin dhe fshatrat nga mbeturinat.
“Jam e lumtur që jam pjesëmarrëse e kësaj iniciative që shpërfaq, vullnetin, kulturën, dashurinë dhe kujdesin që kemi për mjedisin”, është shprehur ministrja Reshitaj.
“Për të pasur një menaxhim efikas të mbeturinave kërkohet të kemi zbatim të udhëzimit administrativ për gjoba mandatore, andaj kam kërkuar nga komunat fuqizim të inspektoratit lokal dhe bashkëpunim nga qytetarët në lajmërimin e shkeljeve mjedisore”, përfundoi ministrja Reshitaj.