Qytetarët e Prizrenit mund të paguajnë faturat e mbeturinave në Postë
Prizren, 25 mars - Posta e Kosovës Sh.A. dhe Komuna e Prizrenit kanë nënshkruar marrëveshje për pagesën e faturave të mbeturinave. Të gjithë qytetarët e kësaj komune që nga sot mund ti paguajnë faturat e mbeturinave në çdo Zyrë Postare.
Menaxhmenti i Postës në Prizren fton qytetarët që të shfrytëzojnë këtë shërbim pasi që është edhe në interesin e tyre. Në Komunën dhe regjionin e Prizrenit, Posta ka një rrjet të gjerë me Zyra Postare.
Vitin e kaluar Posta e Kosovës është licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) si Institucion Financiar Jobankar (IFJB).
Deri më tash ka nënshkruar shumë marrëveshje me kompani të ndryshme publike dhe private për kryerjen e pagesave në Postë.
Çdo lloj pagese që bëhet në institucione tjera financiare ofrohet edhe në Postë, por me provizionin më të ultë në Kosovë ose fare pa provizion.
Falë angazhimit dhe përkushtimit maksimal në Zyrat Postare të Komunës së Prizrenit, është rritur numri i transaksioneve të shërbimeve financiare jo bankare. Kjo rritje e transaksioneve tregon se qytetarët e Prizrenit janë të kënaqur me ofrimin e shërbimeve të Postës së Kosovës.
Menaxhmenti i Postës së Kosovës në Prizren fton edhe një herë të gjithë qytetarët që ti paguajnë të gjitha faturat në Zyrat Postare që janë të hapura nga ora 08:00 -21:00.
Shërbimet e tjera financiare jobankare që mund të paguhen në Postë janë: Pagesa e tatimeve dhe kontributeve për ATK, tatimit në pronë, dënimeve në trafik, pagesat e studentëve të universiteteve publike (semestër, provime, konvikt, mensë, bibliotekë), pagesat e taksave gjyqësore, pagesat për licenca te ndryshme të institucioneve të shtetit, pagesa për dokumente personale, të regjistrimit të automjeteve dhe shërbime tjera.
Qytetarët e Prizrenit dhe të gjithë Kosovës në Postë mund të paguajnë edhe faturat për energji elektrike, polisat e sigurimit të automjeteve për të gjitha kompanitë e sigurimeve në Kosovë dhe pagesën për kartonin e verdhë për të gjitha kompanitë e sigurimeve.