Qeverisë i mungojnë 250 milionë euro për autostradë
Prishtinë, 6 janar - Ministria e Infrastrukturës nuk e di ende se prej nga do ti sigurojë rreth 250 milionë euro për ndërtimin e autostradës Prishtinë - Han i Elezit.
Në vitin 2014 janë shpenzuar 60 milionë euro për ndërtimin e autostradës që ka nisur në muajin korrik. Për ndërtimin e saj, në tri vitet e ardhshme Qeverisë i duhen edhe 539 milionë euro.
Në Buxhetin e vitit 2015 janë paraparë 90 milionë euro që do të investohen në Rrugën 6, ndërtimi i së cilës pritet të zgjat 42 muaj, shkruan Koha Ditore.
E në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve janë paraparë edhe flukset e investimeve për vitet 2016 dhe 2017. Në vitin e ardhshëm, Qeveria ka planifikuar ti investojë edhe 90 milionë euro në autostradë..
/Koha Ditore/