Qeveria vendos për ndërtimin e kyçjeve të reja në autostradën në Ferizaj dhe Viti
Prishtinë, 28 maj - Në fillim të mbledhjes së 105-të të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj, ka njoftuar kabinetin qeveritar lidhur me aksionin policor të dy ditëve të fundit që u zhvillua në disa qytete të Kosovës.
Lidhur me këtë, kryeministri Haradinaj tha se me urdhër të Prokurorit në dy ditët e fundit ka ndodhur një operacion policor i arrestimit dhe bastisjes së disa të përfshirëve në vepra të jashtëligjshme me kontrabandë, trafiqe, korrupsion dhe vepra të tjera të kriminale, në disa komuna të Republikës së Kosovës.
Pika e parë që mori aprovimin e kabinetit qeveritar ishte Plani Vjetor i Statistikave Zyrtare për vitin 2020, i cili synon realizimin e objektivave, përmes shfrytëzimit më të mirë të burimeve dhe duke rritur efikasitetin organizativ, të rritet produktiviteti statistikor, cilësia, të fuqizohet Sistemi Statistikor i Kosovës, si dhe të arrihet përmbushja e kërkesave të shfrytëzuesve me të dhëna zyrtare të prodhuara sipas standardeve të BE-së. Poashtu u miratua edhe Raporti Vjetor i Statistikave Zyrtare për vitin 2018.
Qeveria ka miratuar Udhëzimin Administrativ për Mirëmbajtjen e Bazës së të Dhënave dhe Obligimet e Autoriteteve Publike dhe Personave tjerë Fizik dhe Juridik për Mirëmbajtjen dhe Dorëzimin e Dokumenteve dhe të Dhënave në bazën e të Dhënave, qëllimi i të cilit është të përcaktojë procedurat për krijimin, organizimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e Bazë së të Dhënave të Planifikimit Hapësinor dhe të programit të saj operues softuerik, duke përfshirë obligimet e mirëmbajtjes dhe të përpunimit të informatave gjeohapësinore nga qeverisja qendrore dhe lokale.
Edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme (ish shoqërore) të cilat preken nga ndërtimi i “Qarkores së Gjakovës” – Tranziti i Ri (Pika e Zezë Nakaradë) Zona Kadastrale: Gjakovë – jashtë Qytetit, Komuna Gjakovë, mori aprovimin e Qeverisë së Kosovës.
Poashtu, në mbledhjen e sotme u aprovua edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme –parcela nr. 10209-0 dhe objekteve administrative, Komuna Prishtinë, për nevoja të akomodimit të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit - Themelimi i Qendrës Përkujtimore për Gjenocidin mbi shqiptarët “Bllaca 1999”, Komuna Hani i Elezit.
Aprovimin e Qeverisë e mori edhe vendimi preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të ish ndërmarrjes OP “Drenica OTHPB Agroprodukt”, në Drenas Zona Kadastrale Poklek të cilat preken nga realizimi i Projektit “Ndërtimi dhe Modernizimi i Infrastrukturës Rrugore të Stadiumit të qytetit “Rexhep Rexhepi”.
Poashtu, u miratua edhe Nisma për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut për Transport Rrugor Ndërkombëtar të Udhëtarëve dhe Mallrave si dhe Nisma për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maltës për Transport Rrugor Ndërkombëtar të Udhëtarëve dhe Mallrave.
Me kërkesë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, u mor vendim për zgjatjen e afatit të Kontratës për ndërtimin e Autostradës R6 “Arbën Xhaferi”, Prishtinë - Hani i Elezit, deri në dhjetor 2020, për punët shtesë në ndërtimin e dy kyçjeve në Ferizaj dhe Viti dhe mbikalimin në Paldenicë.