Qeveria s'ka mandat për ta rikthyer nën Serbi rrjetin e telekomunikacionit
Prishtinë, 18 janar - Visar Ymeri dhe Ismet Hamiti theksuan sot në konferencë dëmin dhe skandalin e lidhur me kodin telefonik dhe me lejen për operim në Kosovë sa i takon kompanisë shtetërore të Serbisë.
Më 15 janar në mbledhjen e Qeverisë sipas Vetëvendosjes është marrë vendimi ku jashtëligjshëm i ndërhyhet Autoritetit Rregullativ me orientimin për t'i dhënë licencë të përkohshme kompanisë shtetërore të Serbisë që të punojë në Kosovë. Në mënyrë tinëzare e paraqesin si sukses faktin që kjo leje për MT e Serbisë hyn në fuqi që prej momentit kur Kosova e merr kodin telefonik 383.
Kjo është një nga katër marrëveshjet e 25 gushtit, të cilat bashkë me marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi kundërshtohen përmes peticionit të nënshkruar nga 205 mijë 254 qytetarë.
Krerët e Qeverisë deklarohen për prioritete si zhvillimin ekonomik, ngritja e mirëqenies së qytetarëve apo luftimi i korrupsionit. Por ata vazhdimisht e kanë bërë të kundërtën. Ne për shumë vite, e veçanërisht këta muajt e protestave të Opozitës së Bashkuar, kemi sqaruar se prioritet këta kanë negociata me Serbinë dhe se marrëveshjet e fundit janë pengesë e madhe për ekonominë tonë, krahas dobësimit të sovranitetit të Kosovës.
\"Kosova i ka humbur rreth 65 milionë euro në vit nga mungesa e kodit telefonik. Teksa për ta zgjidhur këtë çështje ata kanë preferuar rrugën që kalon nëpër Serbi. Kjo nënkupton një kod që nuk do të jetë i Kosovës, por do të jetë në përdorim nga Kosova. Ndërkohë që ekzistonin të gjitha mundësitë që Kosova të aplikonte për kod të sajin sipas Nenit 2, pika 2c të Kushtetutës se ITU-së\" - u shpreh Ymeri.
Ministrja Tahiri dhe vetë Mustafa që e ka nënshkruar marrëveshjen, po thonë se është aplikuar për Kodin telefonik. Pse atëherë nuk publikohet dokumentacioni i aplikimit? Jo marrëveshja se atë e dimë. Në të thuhet se Austria aplikon me pajtim të Serbisë e në emër të Serbisë dhe të Kosovës.
Kompania që po duan ti japin leje për të operuar në Kosovë është kompania shtetërore e Serbisë. Kur dhe si u vendos kjo? Për këtë nuk ka të drejtë as kryeministri e askush të negociojë. Autoriteti tash nuk luan rolin e rregullatorit të pavarur në tregun e telekomunikimeve, por po i zbaton urdhrat e Qeverisë. Kjo është një çështje përmbi mandatin qeveritar të çdo kujt.
Profesor Ismet Hamiti, tha se \"asnjë arsye nuk ekziston që çështja e telekomunikacionet të bisedohet me Serbinë. Aq më pak, kur dihet që Serbia s\'e ka asnjë autoritet, kompetencë, në caktimin e kodeve. I vetmi autoritet që ka kompetencë për këtë është ITU. Marrëveshja me Serbinë për telekomunikacion rrënon themelet e shtetit që po përpiqemi të ndërtojmë. Ajo praktikisht integron rrjetin e telekomunikacionit të Kosovës në rrjetin e Serbisë\".
Qeveria e Kosovës ka pasur rrugë të tjera për kodin telefonik, siç është aplikimi direkt për anëtarësim në ITU si Kosovë, ose zbatimi i Rezolutës së Kuvendit të Kosovës, për ta marrë kodin 355 të Shqipërisë.
Rëndësia e telekomunikacionit për një vend është e dyfishtë, ekonomike dhe e sigurisë. Nuk ekziston vend në botë që lejon që një kompani shtetërore të një shteti tjetër të operojë në shtetin e vet. Për shembull, në SHBA nuk është lejuar operatori gjerman (Deutsche Telekom) ta blejë një kompani private të telekomunikacionit, për shkaqe të sigurisë edhe pse janë aleatë.
Pronësia e një shteti tjetër në telekomunikacion nuk është çështje e një mandati qeveritar, një ministri ose një Rregullatori, kjo është çështje e rëndësisë strategjike dhe duhet të ketë konsensus gjithëshoqëror, tha në fund Hamiti.