Qeveria shpreh keqardhje për anulimin e ceremonisë
Prishtinë, 27 nëntor - Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur keqardhje për anulimin e ceremonisë së përurimit të Rrugës së Kombit - Ibrahim Rugova.
Në një komunikatë për opinion, qeveria ka shpjeguar se anulimi ndodhi për shkak të ndërhyrjes së një grupi qytetarësh të pandërgjegjshëm, që demoluan vendin ku duhej të mbahej ceremonia.
Qeveria e Republikës së Kosovës falënderon qytetarët e shumtë, që kanë ardhur për të festuar, në veçanti falënderon dhe u kërkon mirëkuptim për ndërprerjen e ceremonisë, kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, presidentes Jahjaga, ambasadores amerikane në Prishtinë, Jacobson, ambasadores e Turqisë në Prishtinë, Ozan dhe shumë personaliteteve tjera vendore dhe ndërkombëtare, që ishin paraparë të mbanin fjalë rasti në këtë ceremoni, thuhet në komunikatë.