Qeveria ndan mjete për kontestin e privatizimit te PTK-së
Prishtinë, 7 prill - Kabineti qeveritar ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare për mbulimin e kostos për ekspertiza profesionale në çështjen AXOS GMBH për kontestin \"Privatizimi i PTK-së\" që lidhen me vlerësimin e dëmit dhe ekspertiza në fushën e legjislacionit vendor dhe ndërkombëtar, konventat e zbatueshme në Republikën e Kosovës dhe ligjet e aplikueshme lidhur me investimet.
Ky vendim nxirret si rrjedhojë e mos shpenzimit të mjeteve financiare në vitin paraprak, për shkak të mbylljes së vitit fiskal 2016.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka informuar kabinetin se deri më tani, ecuria e ndërtimit të mbrojtjes dhe grumbullimit të dëshmive është duke shkuar sipas agjendës së planifikuar dhe se së shpejti do të sjell në Qeveri një informatë të kompletuar për këtë rast.
Është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për shënimin e festave të komuniteteve në Kosovë. Mjetet do të ndahen nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit, dhe shërbejnë për shënimin e festave nacionale që kanë komunitetet.
Gjatë kësaj mbledhje, është miratuar vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë nr. 07/138 të datës 22 mars 2017, lidhur me emërimin e Bordit menaxhues të Lotarisë së Kosovës, me të cilin vendim janë emëruar edhe dy anëtarë tjerë të këtij Bordi.
Është miratuar informimi i kabinetit qeveritar lidhur me aktivitetet e kryera që ndërlidhen me fillimin e mbledhjes së premiumeve për sigurimin shëndetësor. Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka bërë të ditur se së shpejti do të nis rekrutimi i stafit për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, ndërsa është finalizuar edhe drafti final i Projektligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore. Pas përfundimit edhe të dy udhëzimeve administrative, që përcaktojnë kriteret për lirimin nga pagesa e premiumeve për qytetarët e Republikës së Kosovës, ministri Rrahmani ka pohuar se është në përfundim edhe lista e shërbimeve të kujdesit themelor shëndetësor.
Lista e shërbimeve të kujdesit themelor shëndetësor, respektivisht pakoja bazike për shërbime spitalore, mund të themi se pas kalimit në të gjitha fazat e hartimit të analizës dhe komenteve me institucionet shëndetësore, grupi teknik profesional është duke e finalizuar këtë listë, dhe shumë shpejt Bordi i Fondit do të merr vendim dhe do ta procedojë në Qeveri për miratim përfundimtar, tha ministri Rrahmani