Qeveria miraton shpronësimet e pronave në rrugën Prishtinë-Mitrovicë
Prishtinë, 24 dhjetor - E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të katër, të rregullt në të cilën janë miratuar dokumente dhe politika nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të Qeverisë së Kosovës.
Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme ishte për shpronësimet përfundimtare të pronave të paluajtshme dhe të zotëruesve të interesit publik të cilat preken nga ndërtimi i rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë.
Shpronësimet janë në zonën kadastrale Babimoc e Milloshevë të komunës së Obiliqit, në Stanocë i Poshtëm, Stanocë i Epërm, Gracë dhe Lumi i Madh të Komunës së Vushtrrisë.
Vendimi anulon shpronësimet e miratuara me vendimin përfundimtarë 06/160, të datës 11.12.2013, në po këto zona kadastrale.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar kërkesën e Komunës së Prishtinës për transferimin e mjeteve buxhetore nga kategoritë e shpenzimeve kapitale në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve.
Kjo kërkesë është e lidhur me implementimin e projektit të kogjenerimit të energjisë për ngrohje të qytetit të Prishtinës.
Në mbledhjen e sotme janë miratuar edhe pesë koncept dokumente për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve: koncept dokumenti për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, koncept dokumenti për hartimin e Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Zjarrfikje dhe Shpëtim, koncept dokumenti për hartimin e Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Mbrojtje nga Zjarri, koncept dokumenti për letërnjoftimet elektronike (biometrike) dhe koncept dokumenti për hartimin e Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi ka njoftuar kabinetin qeveritar me vizitën e zhvilluar gjatë javës së kaluar në Strasburg dhe Bruksel. Zëvendëskryeministri Thaçi ka theksuar se takimet e zhvilluara në Këshillin e Evropës, në selinë e Bashkimit Evropian dhe në selinë e NATO-s, kanë qenë të rëndësishme dhe diplomacia kosovare pret një koordinim edhe me të ngushtë të aktiviteteve me institucionet e rëndësishme euroatlantike.