Qeveria miraton huan për ndërtimin e rrugës Prishtinë- Mitrovicë
Prishtinë, 11 tetor - Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt, ka aprovuar projektligje, rregullore dhe vendime tjera të fushave të saja të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Në mbledhjen e sotme është miratuar Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për hua të financimit për vazhdimin e ndërtimit të rrugës Prishtinë- Mitrovicë, që është lidhur në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Fondi I OPEC për Zhvillim Ndërkombëtarë.
Shuma e huas është 20 milion dollar shlyerja e të cilës do të fillojë në gusht të viti 2018 dhe do të përfundojë në shkurt të viti 2033.
Në vazhdim të realizimit të projekteve kombëtare të ndryshme të infrastrukturës, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimet përfundimtare për shpronësimin e pronave të paluajtshme të pronarëve dhe të zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimet e rrugëve Prishtinë Pejë, në zonat kadastrale Balincë, Llazicë, Mleqan dhe Kijevë të komunës së Malishevës; Për ndërtimin objektit administrativ të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave në zonat kadastrale të Hajvalis dhe Qagllavicës në komunën e Prishtinës.
Edhe vendimi përfundimtarë i shpronësimeve të pronave që preken nga ndërtimi i autostradës Vërmicë-Merdar në zonat Banjë, Bellanicë, Carallukë, Tërpezë, Lladrofc, Shkarashnik, Temeqinë të komunës së Malishevës dhe Bllacë, Duhël dhe Sllapuzhan në Komunën e Suharekës, ëshhtëmiratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Gjithashtu edhe vendimi tjetër i Qeverisë së Republikës së Kosovës ka të bëjë me shpronësimet e pronave që preken nga ndërtimi i autostradës Vërmicë-Merdar dhe të rrugës Prishtinë Mitrovicë, në zonat kadastrale të komunës së Obiliqit dhe Prishtinës.
Kryeministri i Kosovës ka kërkuar nga ministri i Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë që të përshpejtohen të gjitha procedurat për themelimin e Universitetit Publik të Ferizajt.
Kabineti qeveritar po ashtu ka miratuar Rregulloren për Aditivët ushqimor që përcakton lejueshmërinë e përdorimit të aditivëve ushqimorë me qëllim të sigurimit të funksionimit efikas të tregut me nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, interesave të konsumatorëve, sipas nevojës për mbrojtjen e mjedisit dhe me qëllim të sjelljes korrekte ne tregun e ushqimit.
Rregullorja për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për organizimin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, e miratuar sot nga kabineti qeveritar, përcakton qëllimin organizimit të kësaj agjencie dhe detyrat e përgjegjësitë organizative të saj.
Strategjia kombëtare e Republikës së Kosovës për menaxhimin e integruar të kufirit, pasqyron vizionin e qartë të Republikës së Kosovës, për sigurinë dhe përafrimin e Republikës së Kosovës me bashkimin Evropian, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, parandalimin e krimit duke respektuar standardet më të larta të të drejtave të njeriut.
Zbatimi i konceptit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit është gjithashtu një tregues i qartë për partnerët ndërkombëtarë që Republika e Kosovës është e gatshme të kontribuojë për sigurinë rajonale dhe më gjerë, duke u bërë një partner i besueshëm si për BE-në dhe të tjerët, në sferën e kontrollit të kufijve të saj.
Në procesin e zhvillimit të një Strategjie Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marr në konsideratë situatën socio-politike dhe sistemit juridik të Republikës së Kosovës dhe të rajonit, duke krahasuar përvojat e vendeve të tjera në këtë fushë.
Strategjia dhe Plani i Veprimet për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, janë dokumente fleksibile të cilat mund të plotësohen dhe ndryshohen në vazhdimësi në aspektin e zbatimit gradual të parametrave, objektivave, veprimeve dhe proceseve të punës, në sferën e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve duke iu përshtatur rregullave dhe mundësive në përputhje me gjendjen në terren, interesat strategjike të Republikës së Kosovës dhe ndryshimeve brenda standardeve të BE-së.
Strategjia kombëtare për riintegrimin e personave të riatdhesuar në Kosovë, është edhe një dokument tjetër i politikave të Qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e migracionit dhe riintegrimit të personave të riatdhesuar, paraqesin një aspekt të rëndësishëm në marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, në kuadër të angazhimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për liberalizimin e vizave dhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian.