Qeveria miratoi Projektligjin për Rregullat e Komunikacionit Rrugor
Prishtinë, 23 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka miratuar Projektligjin për Rregullat e Komunikacionit Rrugor, i cili do të ndikoj në rritjen e sigurisë rrugore, mbrojtjen e ambientit, zhvillimin normal të komunikacionit rrugor, kufizimin për mbrojtjen e shoferëve të rinj dhe fillestar, aplikimin e sistemit të pikëve negative, kontrollimin dhe rregullimin e komunikacionit rrugor, përafrimin me legjislacionin evropian, dhe çështje tjera të ndërlidhura me këtë fushë.
Po ashtu sot është miratuar Projektligji për Kundërvajtje, qëllimi i të cilit është reformimi i fushës së kundërvajtjes dhe rritja e efikasitetit dhe efektivitetit në shqyrtimin dhe zgjidhjen e lëndëve për kundërvajtje.
Projektligji për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme në Kosovë, i miratuar sot, do të përmirësoj infrastrukturën ligjore për lehtësimin e procedurave të licencimit, ofrimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe ambientit, rritjen e sigurisë dhe krijimin e bazës ligjore për transfuzim të direktivës për promovim të përdorimit të biokarburanteve me transport.
Qeveria miratoi edhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Shoqatën e të Verbërve të Republikës së Kosovës në vlerë prej 13.641 euro.
Shoqata e të Verbërve të Kosovës ka kërkuar që dokumentet që janë bazë e bashkëpunimit të Qeverisë me shoqërinë civile të printohen dhe të publikohen edhe në shkrimin Braj, kërkesë kjo e cila ka dalë edhe nga Këshilli për zbatimin e strategjisë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë cilivile 2013-2017.
Në alfabetin Braj janë përkthyer edhe Kushtetuta, Kodi penal, Kodi i Procedurës penale, dhe ligjet kundër korrupsionit, ndërsa pritet që për vitin tjetër të përkthehet edhe Ligji për martesën, ai për trashëgiminë dhe për familjen dhe çështjet pronësore që lidhen me të drejtat e tyre elementare.
Koncept-dokumenti për fushëveprimtarinë e Zyrës së Prokurorit Disiplinor, po ashtu, mori miratimin e kabinetit qeveritar, sipas të cilit parashihet një mundësi më e madhe për pavarësinë dhe paanshmërinë e veprimit të Zyrës Prokurorit Disiplinor. Ky koncept-dokument ka për qëllim që të rrisë kualitetin dhe efikasitetin e punës së hetimeve disiplinore, të forcoj Zyrën e Prokurorit Disiplinor dhe garantoj procedura të drejta dhe hetimore disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorët në vendin tonë.
Qeveria miratoi edhe vendimin për kursimin dhe ndarjen e mjeteve financiare në pajtim me nenin 13 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, që ka për qëllim ngritjen e efikasitetit në ekzekutimin e Buxhetit dhe përmbylljen e vitit fiskal 2015.
Kryeministri Isa Mustafa tha se me këtë vendim përmbushen disa detyrime të cilët kanë qenë te Ministria e Administratës Publike për qira dhe detyrime tjera.
Te Prokuroria po ashtu në marrëveshje me Kryeprokurorin për obligimet që kanë mbetur këtë vit, si dhe te ministritë e tjera, veçmas te Ministria e Punëve të Jashtme, shpenzimet të cilat kanë lind jo si tejkalim i shpenzimeve, por si problem i ndryshimit të kursit të këmbimit që është një problem real të cilin ne nuk e kemi paraparë fillimisht në Buxhet se ai do të ndodh, ndryshimi i kursit të dollarit me euron dhe pastaj do të rritë shpenzimet në euro. Unë mendoj se me këtë do të plotësohen nevojat urgjente të cilat kanë qenë, dhe ndryshimet tjera që ministri i paraqiti nëpër sektorë tjerë edhe të shëndetësisë, edhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, tha kryeministri.
Qeveria miratoi edhe vendimin për shpalljen e objektit të Institutit të Ndërtimit në Bërnicë të poshtme si Inkubator i Biznesit për ndërmarrjet që merren me teknologji informative.
Kryeministri Isa Mustafa tha se ky është një vendim shumë i qëlluar. Ne kemi vizituar bashkërisht ato objekte në Bernicë. Janë objekte të ndërtuara sipas standardeve shumë të mira, por të cilat duhet të shfrytëzohen. Është një prej orientimeve shumë të shëndosha të Qeverisë që të mundësoj që edhe bizneset të shfrytëzojnë objektet tona dhe të shfrytëzojmë hapësira për hapje të vendeve të reja të punës, tha kryeministri Mustafa.