Qeveria këshilltar të ri për shitjen e PTK-së
Prishtinë, 15 nëntor - Komisioni qeveritar për privatizimin e PTK-së ka marrë vendim për shkëputje të kontratës me këshilltarin e transaksionit, kompaninë Telko, dhe përzgjedhjen e një këshilltari të ri për këtë proces. Kështu njoftoi ministri i zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj, para anëtarëve të Komisionit për zhvillim ekonomik, ku raportoi për performansën e ndërmarrjeve publike për vitin 2009 dhe 2010.
Qeveria e Kosovës është e vendosur të vazhdojë procesin e privatizimit të Postë Telekomit të Kosovës. Pas vendimit për ndarjen e Postës dhe regjistrimin e saj si një kompani e veçantë, komisioni qeveritar tani do të fillojë procedurat për zgjedhjen e një këshilltari të ri të transaksionit, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj:
Komisioni qeveritar për privatizim ka marrë vendim për shkëputje të kontratës me Telkon, që ka qenë këshilltar i transaksionit dhe ne do të hapim një proces të ri, shumë shpejt për përzgjedhjen e një këshilltari të ri, i cili do të procedojë me normat e reja, me kriteret e reja të cilat jemi në proces të cilat jemi në proces e sipër për të proceduar.
Duke raportuar para anëtarëve të Komisionit për zhvillim ekonomik, mbi performansën e ndërmarrjeve publike gjatë vitit 2009 dhe 2010, Beqaj tha se gjatë kësaj periudhe ato kanë performuar më mirë, krahasuar me vitin 2008. Por anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri kishin vërejtje rreth punës së tyre. Myzejene Selmani nga AKR-ja:
KEK-u nuk ka performuar mirë gjatë viteve 2009 dhe 2010, megjithëse ne qeveria i jep subvencione dhe kredi KEK-ut.
Vërejtje u paraqitën edhe rreth shkallës së ultë të arkëtimit të mjeteve të KEK-ut, por edhe kompanive të Ujësjellësit dhe Mbeturinave. Lutfi Zharku tha se përveç performansës së dobët financiare, këto kompani nuk ofrojnë as shërbime të kënaqshme. Ndërkaq Berat Buzhala nga PDK-ja, ngriti shqetësime sidomos sa i përket humbjeve teknike dhe komerciale të KEK-ut:
Brenda një viti e kemi një zvogëlim prej 1.20 për qind. Sipas këtij trendi për të ardhur në suaza normale të një korporate normale, do duhej që ky bord të kërkonte edhe 30 vjet kohë për të rënë nën 10 për qind humbje.
Ministri Beqaj theksoi se për të zvogëluar humbjet e KEK-ut nevojiten investime kapitale, dhe për këtë arsye sipas tij, qeveria ka vendosur të privatizojë kompaninë e furnizimit dhe shpërndarjes. Ndryshe, ai ua dorëzoi deputetëve të këtij komisioni raportin e plotë mbi funksionimin e 16 ndërmarrjeve publike, në të cilat qeveria është aksionare.