Punimet në autostradë ecin sipas dinamikës
Prishtinë, 7 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi së bashku me presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ambasadorin amerikan në Kosovë, Kristofer Dell, ambasadoren turke në Kosovë, Songul Ozan dhe disa ministra të kabinetit qeveritar ka vizituar kantierin e ndërtimit të sektorit të autostradës nga Vërmica deri në Qafë të Duhlës në gjatësi prej 43 kilometrash.
Me këtë rast, presidentja Jahjaga ka vlerësuar se Rruga e kombit, siç e quajti ajo autostradën Ibrahim Rugova, përveç që do të lidhë Kosovën me Shqipërinë, do të ndikojë që Kosova të shndërrohet në një vend atraktiv për investime të huaja.
Ajo ka thënë se Kosova do të vazhdojë me projekte të rëndësishme, për përmirësimin e kushteve të qytetarëve të vendit.
Në një fjalë rasti kryeministri Hashim Thaçi është shprehur shumë i kënaqur me dinamikën dhe kualitetin e ndërtimit të kilometrave të para të autostradës nga Vërmica deri në Merdarë.
Jam shumë i kënaqur që sot jemi këtu së bashku për të inspektuar punimet në ndërtimin e autostradës Vërmicë Merdarë. Tani janë duke u kryer punët në aksin prej 43 kilometrash të kësaj autostrade që është shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës, theksoi kryeministri Thaçi.
Ai shtoi se punimet janë duke u zhvilluar edhe në kufi që do të ndikojë në integrimin e vendit tonë në aspektin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, të hapen kufijtë tanë sa më shumë. Pritet që gjatë këtij viti të fillojnë punimet edhe në sektorin e pestë . Janë duke u kryer punime në të gjitha seksionet edhe para kohe .
Më tutje, kryeministri Thaçi tha se kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me kompaninë Bechtel - Enka .
Kryeministri Thaçi ka lavdëruar punën e kompanisë Bechtel - Enka për punën e bërë deri tash. Ky projekt është duke u zhvilluar sipas planit, natyrisht se në Kosovë do të zhvillohen edhe shumë projekte tjera të infrastrukturës, theksoi kryeministri Thaçi.
Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Kristofer Dell, ka thënë se ndërtimi i autostradës Vërmicë-Merdare është një projekt gjigant, i cili do ti mundësojë Kosovës përmes territorit të Shqipërisë dalje në det.
Ai ka lavdëruar edhe punën e kompanisë Bechtel Enka, për të cilën theksoi se brenda një viti ka bërë një punë të madhe.
Majk Adams, president i kompanisë Bechtel Enka, ka thënë se kanë bashkëpunim dhe partneritet të mirë me Qeverinë e Kosovës dhe se pas gjashtë muajve qytetarët do të kenë mundësi të qarkullojnë në një pjesë të autostradës, prej Vërmicës deri në Duhël.
Para rreth një muaji ka nisur asfaltimi i kësaj autostrade, e cila nga Theranda deri në Vërmicë pritet të jetë e gatshme për qarkullim në fund të tetorit.
Autostrada do të jetë e sistemit të mbyllur dhe hyrje-dalje do të ketë vetëm në kyçjet e autostradës. Gjerësia e autostradës do të jetë 28 metra, ku do të jenë 4 shirita qarkullues me nga 3.75 metra, 2 shirita për ngadalësim me nga 3 metra, si dhe brezi i gjelbër në mes në gjerësi prej 4 metrash.
Shpejtësia e projektuar përgjatë gjithë gjatësisë së autostradës është 120 km në orë, ndërsa aty ku karakteristikat e lejes mjedisore lejojnë, është gjithashtu e mundshme të zhvillohet një shpejtësi e projektit prej 140 km në orë.
Nëse nuk paraqiten pengesa, ndërtimi i autostradës Morinë Merdare pritet të përfundojë brenda 36 muajve, kurse ajo do të kushtojë rreth 700 milionë euro.
Autostrada Morinë-Merdar, e cila është vazhdimësi e autostradës Durrës-Morinë, lidh Republikën e Kosovës me Republikën e Shqipërisë, ndërsa Kosovës i krijon mundësi të daljes në det duke e lidhur pikën më të skajshme kufitare të Kosovës, Merdaren me portin e Durrësit.