Punëtorëve të RTK-së u shkelen të drejtat elementare të punës

Prishtinë, 1 maj - Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, më 1 Maj, Sindikata e Pavarur e RTK-së, vazhdoi me aktivitetet e saj të cilat i kishte ndërprerë për më shumë se një muaj, për shkak të një vendimi të pashembullt në botën demokratike, të drejtorit gjeneral të RTK-së, Mentor Shala, ndaj drejtuesve të sindikatës.
Reagimet që pasuan në kundërshtim të këtij vendimi, si brenda RTK-së ashtu edhe jashtë saj, bënë që ky vendim të shfuqizohet dhe kryetari e nënkryetari i sindikatës, prej sot, të kthehen në vendet e tyre të punës.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil B.Hoxha ka thënë së për Sindikatën, do të jetë e papranueshme që punëtorëve të RTK-së të vazhdojnë të u shkelen të drejtat elementare të punës, si mungesa e kontratave të punës, për tash e sa vjet, të dhjetëra të të punësuarve, censura, mungesa e kushteve të punës, duke filluar prej karrigeve e deri te hapësira për punë, padrejtësitë në avancime etj.
Gjithashtu sipas tij e papranueshme është edhe gjendja financiare me të cilën përballet RTK, përfshirë borxhin e jashtëm të saj në vlerë prej rreth 4.3 milionë eurove, tanimë të publikuar nga auditori i jashtëm.
\"Sindikata do të angazhohet që punëtorët e RTK-së të bëjnë punë dinjitoze në shërbim të informimit të drejtë të publikut, dhe të drejtat e tyre të garantuara me ligj, të zbatohen në praktikë.\"
\"Duke e konsideruar 1 Majin, si ditë të solidaritetit ndërkombëtar të punëtorëve, Sindikata do të vazhdojë që këtë vlerë ta kultivojë edhe në të ardhmen\", ka theksuar Hoxha.